Site icon Telegrafi

Sali Berisha zyrtarisht i pandehur për korrupsion, do të vijojë të qëndrojë në arrest shtëpiak

Ashtu siç ka ndodhur prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar, Sali Berisha do të vijojë të qëndrojë në banesën e tij në rrugën “Mustafa Matohiti”, nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, që u vendos nga Gjykata e Posaçme GJKKO pas shkeljes së detyrimit për t’u paraqitur.

Këtë të mërkurë, ish-kryeministri u morr zyrtarisht i pandehur nga Prokuroria e Posaçme SPAK, teksa prokurorët që po hetojnë dosjen “Partizani”, i komunikuan akuzën për veprën penale “korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë dhe të zgjedhurve vendorë”.

Ish-kryeministri qëndroi rreth 20 minuta në ambientet e SPAK, ku në orën 14:00 do të paraqitet për t’u njohur me akuzën edhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi.

Pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, Berisha tha për mediat se se është “i pandehur” për ato që i konsideroi “500 faqe me mashtrime”.

“Jam i pandehur. Më akuzojnë për 500 faqe mashtrime, mashtrime dhe mashtrime. Asgjë nuk ndryshon, është vazhdim i një hakmarrje politike dhe për mua nuk ndryshon asgjë”, u shpreh kreu i PD.

Berisha, 8 muaj mes 4 mureve

Qetësia opozitare e Sali Berishës u trazua keqazi mbrëmjen e 21 tetorit 2023. Ishte mbrëmja kur SPAK nisi ekzekutimin e tre masave sigurie shtrënguese të dhëna në mungesë ndaj tre personave të dyshuar për “korrupsion” gjatë privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”, siç raporton A2.

E para ishte kundër liderit demokrat, Sali Berisha, tjetra kundër dhëndrit, Jamarbër Malltezi, dhe një e tretë ndaj një biznesmeni ndërtimi. Për ish-kryeministrin, SPAK kishte marrë miratim nga Gjykata e Posaçme për masën e “detyrimit për paraqitje” dhe “ndalim të daljes jashtë shtetit” për “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”. E njëjta masë edhe për biznesmenin Fatmir Bektashi, ndërsa për Jamarbër Malltezin ajo e “arrestit në burg”.

Lexo po ashtu Berisha shkon në SPAK, mohon akuzat dhe sulmon Ramën: Nuk do ta marrë mandatin e katërt

Sipas SPAK, nga karrigia e kreut të qeverisë, Sali Berisha kishte miratuar ligje dhe akte nënligjore që i kishin hapur dritë jeshile dhe favorizuar privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”, ku mes anëtarëve të ish-pronarëve përfitues ishte edhe Malltezi. Dhëndri i ish-kryeministrit u prangos në Rinas. Videoja bëri xhiron e rrjetit sa hap e mbyll sytë. Sali Berishës sakaq iu shtua një tjetër front. Ai kundër SPAK. Në ditët në vijim, Gjykata e Posaçme la në fuqi të tre masat. Ish-kryeministri zgjodhi të mos paraqitej në seancë, ku dërgoi vetëm avokatët. Sipas vendimit të Gjykatës, Berisha duhet të paraqitej dy herë në muaj në SPAK. Duke e konsideruar si të paligjshëm e të pabazuar, vendimi u injorua tërësisht nga ish-kryeministri.

SPAK e priti, por ai nuk mbërriti asnjëherë në prag në ditët e caktuara nga gjykata. Përpjekja e liderit demokrat për të rrëzuar masën në Apelin e Posaçëm dështoi. Ndërsa Jamarbër Malltezi mundi të lirohej nga qelia dhe të shkonte në “arrest shtëpie”. Injorimi disa herë me radhë i gjykatës nga Berisha nuk u tolerua nga SPAK, që në dhjetor kërkoi ashpërsim të masës së sigurisë. Më 30 dhjetor 2023 gjyqtarja Irena Gjoka vlerësoi se masa duhej ashpërsuar dhe urdhëroi dërgimin e ish-kryeministrit në “arrest shtëpie”.

Në të njëjtin vendim gjykata i pengonte atij komunikimin me persona të tjerë përveç familjarëve. Berisha iu bind vetëm izolimit në shtëpi. Nga dritarja e banesës së tij ai nisi një maratonë fjalimesh, që ndiqeshin nga dhjetra mbështetës në rrugicë, e shumë të tjerë përmes teknologjisë.

Nga ana tjetër, avokatët e tij vijuan betejën në disa fronte, duke kërkuar në mënyrë të përsëritur zëvendësim të masës dhe shfuqizim të saj. Në të gjitha rastet, në të tre shkallët e gjykimit, morën përgjigje negative. Refuzim nga gjykatat mori edhe në një kërkesë për leje të posaçme të ish-kryeministrit për të marrë pjesë në seancat plenare në Kuvend.

Sali Berisha nuk e ka ndalur asnjë çast aksionin e tij publik politik, por prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar liria u nda prej tij. Prej gati 8 muajsh të vetmet orë lirie i ka shijuar paraditen e 23 janarit, kur ishte në SPAK për të dhënë deklarime. E dyta mundësi për të dalë nga shtëpia, ende pa i ndryshuar masa e sigurisë, është kjo e mërkurë, kur lideri demokrat pritet të paraqitet në SPAK për t’u njohur me përfundimin e hetimit ndaj tij dhe nëse do të merret apo jo i pandehur nga Struktura e Posaçme.

Exit mobile version