Dita Dobranja nga Instituti “RIINVEST”, ka thënë se në Kosovë ende ekziston mentaliteti se gratë duhet të qëndrojnë në shtëpi dhe të kujdesen për fëmijët e të moshuarit dhe njëkohësisht të kryejnë edhe punët e shtëpisë.
Dobranja, në emisionin “Përballje” me gazetarin Muhamet Hajrullahu në RTV Dukagjini, ka thënë se në bazë të hulumtimeve të bërë edhe femrat e punësuara edhe ato që nuk janë të punësuara kanë synim të “zënë” një vend të punës që u garanton stabilitet, kontrata të rregullta pune e dinjitet.
“Në disa vende të punës ka nivel të lartë të pasigurisë, kanë nivel të lartë të ngacmimeve seksuale, pra është një vend shumë jo i përshtatshëm i punës. Inspektorati duhet të jetë më aktiv që të rregullohet ky problem dhe të sigurohen që ai vend i punës nuk është diskriminues dhe ka ngacmime seksuale aty”, tha ajo, përcjell Telegrafi.
Hulumtuesja nga Instituti “RIINVEST”, ka thënë se Kosova ka nevojë për krijimin e një strategjie afatgjate sa i përket organizimit të tregut të punës.
“Ne duhet të kemi shumë kujdes që të parashikojmë profesionet e së ardhmes. Ka kompani që kanë filluar vetë të krijojnë qendra trajnimesh për punëtorët e tyre”, tha ndër të tjera Dita Dobranja./Telegrafi/