Telegrafi

Diskutimi në Këshill të Sigurimit, reagon edhe LDK: Ballafaqimi ishte i panevojshëm, i dëmshëm për Kosovën

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avullah Hoti ka reaguar pas mbledhjes së të enjtes të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila ishte thirrur me kërkesë të Serbisë për çështjen e dinarit serb.

Hoti në një postim në Facebook shkruan se ballafaqimi në Këshillin e Sigurimit ishte totalisht i panevojshëm, joproduktiv dhe i dëmshëm për Kosovën.

Lexo po ashtu Kurti i përgjigjet Vuçiqit në OKB për "persekutimin e serbëve": Pretendime të rreme nga shteti që kreu gjenocidin e në Ballkan

“U dëshmua qartësisht se mungesa e bashkërendimit të veprimeve tona me aleatët ka pasoja për Kosovën. Mbrëmë ishte hera e parë që aleatët tanë kryesorë na kritikojnë në një diskutim të Këshillit të Sigurimit.

Kjo qasje e Qeverisë Kurti nuk i shërben integrimit euro-atlantik të Kosovës. Është për keqardhje që veprimet e drejta të Kosovës, të cilat asnjë aleat nuk i konteston në aspektin kushtetues, të na kthehen si bumerang për shkak të politikës së mbrapshtë ku çdo veprim shtetëror i nënshtrohet interesit elektoral momental të partisë në pushtet”, shkruan ai. /Telegrafi/