Telegrafi

Dikur ishte Zvicra, tani gjërat kanë ndryshuar: 33 për qind e listës së Kosovës vjen nga Superliga e Turqisë

Përfaqësuesja e Kosovës është grumbulluar për dy ndeshjet kualifikuese për Euro 2024 që do të zhvillohen këtë muaj.

Dardanët do të përballen fillimisht me Zvicrën më 9 shtator, derisa tre ditë më vonë luajnë në udhëtim te Rumania.

Përzgjedhësi i Kosovës, Primoz Gliha ka publikuar ditë më parë listën me 27 futbollistë të grumbulluar për këto dy ndeshje.

Por ajo që bie në sy është se një numër i madh i këtyre futbollistëve luajnë në elitën e futbollit turk.

Në fakt prej 27 futbollistëve në listë, nëntë prej tyre apo 33,3 për qind janë aktualisht pjesë e skuadrave nga Superliga e Turqisë.

Lexo po ashtu Turqia tokë e bekuar për futbollistët shqiptarë, 17 prej tyre pjesë e Superligës - numri pritet të rritet ndjeshëm deri në fund të muajit

Më parë furnizuesi më i madh i Përfaqësueses së Kosovës ka qenë Superliga e Zvicrës, pasi ka pasur shumë futbollist nga ky kampionat të grumbulluar.

Aktualisht nga kampionati zviceran janë vetëm tre futbollistë të grumbulluar si Ismajl Beka (Luzern), Betim Fazliji (St Gallen) dhe Kreshnik Hajrizi (Lugano).

Nëntë futbollistë nga Superliga turke, apo 33 për qind e listës

Futbolli turk është bërë viteve të fundit shumë atraktiv për shumë yje të futbollit, por ai është mbipopulluar edhe nga futbollistët shqiptarë.

Numër i madh i futbollistëve shqiptarë janë në elitën e futbollit turk, por edhe më shumë ka në Ligën e Parë dhe ligat më të ulëta.

Vetëm për këto dy ndeshje, përzgjedhësi i Kosovës, Primoz Gliha ka ftuar nëntë futbollistë nga elita e futbollit turk.

Milot Rashica (Besiktas), Arbër Zeneli (Adana Demirspor), Zymer Bytyqi (Antalyaspor), Altin Zeqiri (Rizespor), Florian Loshaj (Istanbulspor), Florent Hadergjonaj e Fidan Aliti (Alanyaspor), Ibrahim Dresevic (Fatih Karagumruk) dhe Visar Bekaj (Hatayspor) janë futbollistët e grumbulluar nga Dardanët për ndeshjet e muajit shtator.

Në listë bën pjesë edhe Meriton Korenica, por që ai luan në Manisa që bën gara në Ligën e Parë të Turqisë.

Se futbolli turk është bërë shumë atraktiv për futbollistët shqiptarë në përgjithësi e tregon fakti se aktualisht janë mbi 20 të tillë që luajnë në Superligë.

Në një prononcim për Telegrafin disa ditë më parë, Zymer Bytyqi foli për jetën në Turqi dhe arsyen se pse futbollistët shqiptarë zgjedhin të luajnë në këtë kampionat.

“Fillimisht dua të them se gjatë gjashtë muajve të kaluara në Greqi më mungoi futbolli turk. Vërtetë është një kampionat ku çdo vit ka rritje dhe e shohim mirë se sa yje nga top klubet evropiane kanë zbarkuar në Superligën e Turqisë”.

“Niveli është shumë i lartë dhe ka shumë skuadra të mira dhe të organizuara. Thuajse secila skuadër ka qendër stërvitore ku janë kushtet më të mira të mundshme”, tha fillimisht Bytyqi.

Ai mendon se mentaliteti i njëjtë që kanë shqiptarët me turqit dhe tradita e ushqimi janë disa nga faktorët që bëjnë futbollistët shqiptarë të zgjedhin Turqinë si destinacion.

“Kemi shumë ngjashmëri dy popujt mes vete. Shumë tradita kemi të njëjta, por edhe ushqimi është thuajse i njëjtë si në Kosovë. Nuk e përjashtohet edhe çështjen e pagesave që paguhet mirë në Turqi dhe gjitha këto janë faktorë të rëndësishëm që futbollistët shqiptarë të zgjedhin klubet turke”, deklaroi Bytyqi. /Telegrafi/