Site icon Telegrafi

Dialogu në mes të qershorit, Kurti pas takimit me Lajçak dhe Palmer: Koordinimi BE-SHBA, i mirëseardhur

Kryeminsitri Albin Kurti, ka publikuar fotografi të takimit me emisarin evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe të dërguarin e posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor Mattheë Palmer.

Në Twitter, Kurti ka shkruar, “pas takimit me kryetarët e dy partive politike të opozitës së Kosovës, përpara takimit të paralajmëruar të Brukselit në mes të qershorit.

Ai tha se bashkëpunimi dhe koordinimi në dialogun e ri është thelbësor.

Ndryshe, Kurti ditë më parë pas ftesës së bërë opozitës, ka takuar kreun e LDK-së, Lumir Abdixhikun dhe kreun e AAKs-së, Ramush Haradinaj.

Abdixhiku, pas takimit që zhvilloi me kryeministrin Kurti, tha se ky i fundit ka ndryshuar qëndrim sa i përket dialogut me Serbinë.

“Kurti gjatë kohës sa ishte në opozitë, kritikonte partitë në pushtet duke thënë se dialogu me Serbinë duhet zhvilluar pas kërkimfaljes nga Serbia, vendosjen e reciprocitetit dhe fillimisht dialog i brendshëm me serbët e Kosovës dhe pastaj me Serbinë”. “Unë vërejta, se kryeministri jo vetëm për reciprocitet por edhe për shumë tema të tjera ka ndryshuar pozicion në dialog, por është koha e tij ta dëshmojë veten, është reciprociteti, kërkimfalja dhe dialogu i brendshëm para atij të jashtëm”, tha Abdixhiku.

Kreu i LDK, theksoi se kanë bërë kërkesë që kishte të bënte me pozicionin politik që duhet të prezantohet në Kuvend.

“Kosova duhet të dijë se cili është qëndrimi i Qeverisë për dialog”, tha ai.

Ndërsa, edhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se ka kërkuar nga kryeministri Kurti, “që dialogu të mos ketë befasi”, ndërsa u shpreh se do të ishte me dobi që “Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përkatësisht presidenti Joe Biden të emërojë një emisar në dialogun Kosovë-Serbi”.

“Hetojmë një mungesë të prezencës së SHBA-ve në dialog. Mendoj se kjo është situatë jo e mirë për Kosovën, e prish balancën e interesave të Kosovësnë dialogun me Serbinë. Do të ishte me dobi emërimi i një emisari për dialogun nga presidenti amerikan Joe Biden. Lajçak është një nivel i ulët i përfaqësimit për agjendën tonë. E ardhmja e dialogut është e rëndësishme”, tha Ramush Haradinaj.

Sipas Haradinajt, shqetësues është edhe fakti, se “ka konfuzion në agjenda, sepse disa zhvillime prezantohen si agjendë e Berlinit, siç është ajo e lëvizjes së lirë me Bosnjën”.

Ndryshe, arsyeja e vizitës së Palmer në Kosovë është përkatësisht përgatitja e takimit mes Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Gjatë vizitës së fundit në Brusksel, më 18 maj, kryeministri Kurti kishte deklaruar se takimi me Vuçiqin mund të ndodhë diku në mesin e muajit qershor. Ndërkaq, përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe Siguri, Josep Borrell kishte deklaruar se shpreson që dialogu në nivel të lartë të ndodhë para 22 qershorit.

Vizita e përbashkët e Lajçakut me Palmerin në Kosovë, citohet të jetë bërë edhe për të dërguar mesazhin se SHBA-ja dhe BE-ja bashkëpunojnë ngushtë sa i përket dialogut dhe kanë qëllime të ngjashme për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011.

Ky proces ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit./Telegrafi/

Exit mobile version