Telegrafi

Dhjetë të arrestuar në Pejë për organizim të skemave piramidale dhe mosrespektim të dispozitave shëndetësore

Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës në rajonin e Pejës ka arrestuar dhjetë persona për organizim të skemave piramidale dhe mosrespektim të dispozitave shëndetësore gjatë pandemisë.

Policia e Kosovës, konkretisht Stacioni Policor në Pejë më 29 mars 2020 rreth orës 21:55 në rrugën ‘Bill Klinton” në Pejë ka zhvilluar një operacion me urdhëresë të Gjykatës Themelore Pejë, me pjesëmarrjen e njësiteve relevante të PK-së, pasi që dyshohej se në Qendrën zejtare në Pejë zhvillohej veprimtari e paligjshme bixhozi.

“Policia është futur në lokal dhe aty janë hasur dhjetë persona të dyshuar brenda duke luajtur bixhoz, me ç’rast edhe nuk kishin respektuar urdhëresën nga Qeveria për masa mbrojtëse ndaj COVID 19”, thuhet në njoftim.

Në vendin e ngjarjes nga hetuesit janë gjetur prova dhe dëshmi të mjaftueshme (para dhe gjësende tjera) në lidhje me veprën.

Vendit të ngjarjes u janë përgjigjur edhe inspektorët komunal të cilët kanë mbyllur lokalin.

Të gjithë të arrestuarit, H.K.(1980); R.B.(1977); B.U.(1966); S.K.(1953); C.L.(1976); M.T.(1972); I.B.(1973); B.G.(1961); H.R.(1973); S.K.(1976) janë shoqëruar në stacion policor Pejë dhe pas intervistimit nga hetuesit, me vendim të Prokurorit përkatës i dyshuari i parë, (pronari i lokalit) ndalohet në Qendrën e mbajtjes, ndërsa të dyshuarit tjerë lirohen në procedurë të rregullt për të vazhduar me procedura të mëtutjeshme ligjore. /Telegrafi/