Pas versionit Sedan dhe Caravan të Passatit të ri (B8), si dhe versionit hibrid GTE, kompania Volkswagen së shpejti do të promovojë edhe modelin Passat Alltrack në panairin e veturave në Gjenevë.
Gjithashtu, gjermanët janë duke përgatitur edhe disa risi tjera në këtë segment.
Para se gjithash, fjala është për modelin Volkswagen CC, i cili sipas njoftimeve të mëhershme pritet të arrijë në vitin 2016 (ndërsa sipas disa burimeve tjera përmendet edhe viti 2017), vjen me një bosht më të zgjeruar të rrotave dhe enterier më të gjerë, ndërsa një vit më vonë pritet edhe versioni Shooting Brake i quajtur Volkswagen CCS.
Kompania Volkswagen, sipas disa mediave gjermane, në fillim të muajit të ardhshëm në panairin e veturave në Gjenevë mund të prezantojë edhe konceptin CC, transmeton Koha.net. Së fundmi ka shkruar edhe revista gjermane “Auto Motor und Sport”, e cila thotë se modeli i ri CC do të jetë rreth 100 milimetra më i gjatë se Passati standard dhe do të ketë një stil sportiv.
Edhe pse për momentin nuk ka detaje zyrtare në lidhje me karakteristikat, por CC i ri pritet të ketë motorë benzinë dhe dizel nga Passati standard, duke përfshirë edhe motorin me naftë 2.0-litërsh bi-turbo me kapacitet prej 240 KF.