Telegrafi

Dështimi i madh i Putinit – çfarë ndodhi me urdhrin e tij që ushtarët rusë të ishin në periferi të Kievit, 13 orë pas fillimit të agresionit?

Trupat ruse u urdhëruan të ishin në periferi të Kievit 13 orë pas fillimit të pushtimit nga Moska, sugjeron një hetim.

Siç shkruan Sky News, përcjell Telegrafi, plani i zbuluar i Vladimir Putin për të marrë kryeqytetin e Ukrainës tregon se sa besim kishte ai në forcat e Moskës në shkurt.

Në planet e pushtimit të gjetura nga New York Times, trupave ajrore që u shpërndanë në Ukrainën veriore nga Bjellorusia më 24 shkurt, iu tha të niseshin në orën 1:33 të mëngjesit dhe të ishin në buzë të Kievit, 225 kilometra larg, në orën 14:55 të asaj dite.

Planet tregojnë se një njësi e Regjimentit të 26-të të Tankeve pritej të kalonte kufirin me Ukrainën dhe të luftonte drejt një pike përtej lumit Dnipro, 400 kilometra larg brenda 24 orëve.

Por në realitet, plani i Putinit për të pushtuar kryeqytetin në shkurt dështoi dhe 10 muaj pas luftës, Kievi ende kontrollohet nga forcat ukrainase.

New York Times raporton se planet e pushtimit urdhëruan gjithashtu trupat të shkojnë me shpejtësi qindra kilometra nëpër Ukrainë nga drejtime të shumta.

Hetimi shton se ushtarët rusë kanë shkuar në betejë me udhëzimet të marra nga Wikipedia për armë që mezi dinë t’i përdorin dhe disave nuk u janë dhënë as harta.

Që nga shkurti, Rusia ka pësuar një sërë pengesash në betejat në Ukrainë, duke rezultuar në tërheqje nga zonat përreth Kievit, Kharkiv dhe së fundmi nga qyteti i Kherson, duke bërë që Putini të thërrasë rezervistët.

Megjithatë, ndërsa plani për të marrë Kievin në shkurt dështoi, ukrainasit kanë frikë se Putini mund të planifikojë një shtytje të madhe që mund të përfshijë përpjekjet për të kapur sërish kryeqytetin. /Telegrafi/