Telegrafi

Deri në fund të vitit pritet të finalizohen 17 objekte parashkollore

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vuri sot gurthemelin e shkollës “Ilir Konushevci”, në fshatin Llugë të Podujevës, ndërkaq theksoi se deri në fund të këtij viti pritet të finalizohen 17 objekte parashkollore ku do të arsimohen dhe edukohen rreth 1.800 fëmijë.

Kurti ritheksoi se duke krijuar kushte më të mira infrastrukturore për zhvillimin e procesit mësimor, krijohen parakushte për ngritjen e cilësisë në arsim.

“Qeveria e Republikës së Kosovës po planifikon investime domethënëse veçanërisht në infrastrukturë, në fushën e edukimit në fëmijërinë e hershme dhe teknologji të informacionit e të komunikimit.

Për tri vitet e ardhshme Qeveria ka siguruar 18 milionë euro për investime fillestare në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit në infrastrukturën përkatëse në shkolla.

Po ashtu, deri në fund të këtij viti pritet të finalizohen 17 objekte parashkollore ku do të arsimohen dhe edukohen rreth 1.800 fëmijë”, tha ai.

Gjatë ditës së sotme, së bashku me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, kryeministri Kurti sot përuroi edhe objektin e ri shkollor dhe sallën e edukatës fizike për shkollën fillore të mesme të ulët “Luigj Gurakuqi” në Batllavë. /Telegrafi/