Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu Kodra ka sqaruar sot në Kuvendin e Kosovës deklaratën e saj të para disa dite lidhur me cilësimin si terrorist të të arrestuarve në Maqedoni në rastin “Kumanova”.
Deliu Kodra tha se për asnjë moment nuk i ka vlerësuar si terrorist të arrestuarit në Maqedoni në rastin Kumanova, por sipas saj qëllimisht i është shkëputur fjalia nga konteksti.
“…Asnjë moment nuk i kam vlerësuar si terrorist të dënuarit në rastin ‘Kumanova’ në Maqedoni. Qëllimisht dhe me dashakeqësi më është shkëputur një fjali nga konteksti për të deformuar gjithë idenë… E keni keqinterpretuar si ju ka konvenuar për t’i nxitur e për të ndërsyer militanët tuaj”, tha më tej deputetja e PDK-së.
Gjatë deklarimit në Kuvend, ajo duke iu referuar LVV tha se përveç nxitjes dhe përdorimit të dhunës në gjithë historinë e tyre nuk kanë ditur të bëjnë gjë.
“Keni dështuar të qeverisni sepse nuk aftësi e dijeni dhe po mundoheni ta mbani pushtetin duke ricikluar militantë”, tha Deliu Kodra. /Telegrafi/