Site icon Telegrafi

Deputeti i VV-së: Oliver Ivanoviqi ishte kriminel, nuk iu përshtat Vuçiqit dhe për këtë e eliminoi

Deklarata e kryeministrit Albin Kurti në pesë-vjetorin e vrasjes së ish-politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq, ka ngjallur reagime të shumta.

Së fundmi ka reaguar edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica, duke thënë se Ivanoviqi ka qenë kriminel dhe se sipas tij, për këtë s’duhet të ketë diskutim.

“Organizoi vrasjen e shqiptarëve, ushtroi terror ndaj tyre dhe dëbimin e tyre nga trojet tona. Dënimi i tij jo meritor për 9 vjet nga EULEX-i dëshmoi për krimet e tij makabre ndaj shqiptarëve. Ivanoviq ishte kriminel. Pikë”, ka shkruar Korenica në Facebook.

Lexo po ashtu PSD e vendos fotografinë e Ivanoviqit para Qeverisë, Molliqaj e krahason Kurtin me Enver Hoxhën

Tutje, deputeti ka thënë se ai nuk i është përshtatur presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe “për këtë e eliminoi”.

Ndryshe, në përvjetorin e vdekjes së Ivanoviqit, kryeministri Kurti e ka ngritur lart figurën e politikanit serb. Kjo ka sjell reagime të shumta në shoqëri, duke pasur parasysh se ky i fundit ishte gjykuar e dënuar nga EULEX-i për krime lufte ndaj shqiptarëve.

Kurti përmes një videomesazhi ka thënë se Ivanoviqi ka qenë “një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij në Mitrovicë ndërsa këtë e ka bërë duke qenë i hapur, i sinqertë, gjithmonë i mprehtë në çështjet me rëndësi, por edhe i respektueshëm edhe ndaj atyre me të cilët nuk ishte dakord”. /Telegrafi/

Exit mobile version