Telegrafi

“Unë i besoj Martin Berishajt”, deputetët e PDK-së e vendosin një fotografi te ulësja e Kurtit në Kuvend

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra e Hajdar Beqa, derisa po mbahej seanca e Kuvendit të enjten, kanë vendosur një fotografi që përçon mesazh te ulësja e kryeministrit Albin Kurti.

Në fotografi shihet ky i fundit bashkë me ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili tash e disa muaj përflitet për një skandal financiar.

“Unë i besoj Martin Berishajt”, është shkrimi i vendosur në fotografi, ndërsa në mbiemrin e ambasadorit janë vendosur simbolet e parave, duke lënë të nënkuptohet se interesi i Kurtit ndaj Berishajt është financiar.

Lexo po ashtu Ambasadori Berishaj del me deklaratë publike, mohon të jetë aksionar i ndonjë kompanie në Kosovë e rajon

Ndryshe, PDK-ja disa herë ka kërkuar shkarkimin e Berishajt nga pozita e ambasadorit, por ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla pati thënë se një gjë e tillë nuk mund të ndodh “vetëm për shkak të spekulimeve mediale”.

Gjatë muajit prill të vitit 2021, mediat në Slloveni raportuan për përfshirje në shpëlarje parash të tani kryeministrit slloven, Robert Golob, e që sipas po të njëjtave burime, ambasadori Martin Berishaj e kishte bërë transportimin e parave kesh nga kompania e tij në Mal të Zi tek politikani slloven. /Telegrafi/