Site icon Telegrafi

Deputetët e opozitës i cilësojnë tendencioze dhe të paligjshme aktakuzat nga Prokuroria

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur edhe dy aktakuza të tjera ndaj deputetëve të opozitës, për mbajtjen ose hedhjen e gazit lotsjellës në seancat e Kuvendit të Kosovës.

Deputetët Donika Kadaj- Bujupi, Albulena Haxhiu, Albin Kurti e Faton Topalli tashmë janë duke u gjykuar në një proces tjetër gjyqësor për të njëjtat akuza.

Deputetja e VV-së, Donika Kadaj- Bujupi ka thënë për Telegrafin se ngritja e këtyre aktakuzave është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

“Kërcënimi i vazhdueshëm i Hashim Thaçit që përmes ndryshimit të kodit penal do t’ju pamundësojë pjesëmarrjen në lista zgjedhore njerëzve të cilët kanë aktakuza, (nuk e thekson për korrupsion)  s’është kjo sfera e përndjekjes. Po kthehet në përndjekje të opozitës dhe ngritje të aktakuzave për veprimet politike që është në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligjet në fuqi”, ka thënë Kadaj- Bujupi.

Ajo ka shtuar se për ngritjen e këtyre akuzave është njoftuar përmes medieve dhe se deri më tani aktakuzat nuk u janë dërguar në shtëpi.

Pjesë e deputetëve të cilët përfshihen në këto aktakuza janë edhe deputetët nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, Teuta Haxhiu dhe Time Kadrijaj.

Edhe Pal Lekaj ka theksuar se zyrtarisht nuk është informuar për ngritje të aktakuzës.

“Zyrtarisht nuk jam informuar. Por, edhe nëse është ngritë aktakuzë për veprimet politike në Kuvend që i kemi ndërmarr për ta mbrojt sovranitetin dhe territorin e shtetit, është e padrejtë dhe tendencioze për ta shtypur zërin opozitar”, ka thënë Lekaj për Telegrafin.

Ai ka shtuar se nuk do të ndalen dhe çdo herë do të jetë në shërbim dhe për të mirën e vendit, duke theksuar se si do që të jetë do i përgjigjet drejtësisë./Telegrafi/

Exit mobile version