Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra tha se për shkak të sjelljes, sipas saj aventureske, të kryeministrit Albin Kurti, sot në pjesën veriore të vendit ka më pak siguri, shtet rend e ligj.
Nga foltorja e Kuvendit të Kosovës ajo bëri thirrje për lirim të menjëhershëm të tre policëve të rrëmbyer nga Serbia.
“Sot 8 ditë pas policët tanë po mbahen në paraburgim me akuza të pabaza e me trajtim të padinjitetshëm njerëzor. Ndërkohë thirrja jonë mbetet e njëjtë lirimi i menjëhershëm i tyre pa asnjë kusht.
Fatmirësisht thirrje të tilla prej ditëve të para kanë bërë edhe miqtë ndërkombëtar të Kosovës SHBA, Mbretëria e Bashkuara…
Shpresojmë dhe besojmë se angazhimi i të gjithëve do të mundësoj kthimin e zyrtarëve policor në punën dhe tek familjet e tyre, mirëpo nëse në këtë pikë jemi gjithë njëzëri ne fatkeqësisht jemi më shumë se kurrë të shqetësuar për nivelin e bashkëpunimit të qeverisë së Kosovës me partnerët e saj strategjik.
Sot qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti i ka mbyllur dyert me diplomacitë e vendeve mike”, tha ajo, raporton Kp.
Sipas deputetes së PDK-së, qasja e Kurtit ka sjell më pak sovranitet në veriun e Kosovës e ka më pas siguri e rend e ligj.
“Sot si rezultat i qasje aventureske të Albin Kurtit kemi më pak sovranitet në pjesën veriore. Kemi më pak siguri, më pak rend dhe ligj, pra, kemi edhe më pak shtet.
Çfarë kemi sot janë sulmet e vazhdueshme të papranueshme të partisë në pushtet për NATO-n si organizatë paqeruajtëse që garanton integritetin territorial të Kosovës, për Shtetet e Bashkuara të Amerikës si garanci e shtetësisë sonë. Nxitja e një gjuhe të tillë shpërfillëse dhe mosmirënjohëse nga eksponentë të pushtetit është prej qëllimeve të qarta të Serbisë në luftën e saj hibride ndaj shtetit tonë”, tha ajo.