Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, beson se në takimin e sotëm të grupit punues të Këshillit të Bashkimit Evropian do të vendoset data e shumëpritur për vizat.
Në një postim në Facebook, ajo ka shkruar se padrejtësia e madhe ndaj qytetarëve të Kosovës dhe kushtëzimet e reja po marrin fund.
“Në Këshillin e Bashkimit Evropian, sot pritet të mblidhet Grupi punues për vizat, ku do të diskutohet për procesin e heqjes së vizave për shtetasit e Kosovës”, ka shkruar Deliu-Kodra, e cila njëherit është anëtare e Komisionit për Integrime Evropiane.
“Me shpresë që padrejtësia e madhe ndaj qytetarëve të Kosovës dhe kushtëzimet e reja po marrin fund, besoj se përfundimisht dhe do të duhej të kemi datën e shumëpritur për vizat”.
Ndryshe, sot, më 10 nëntor në takimin e grupit punues të Këshillit të Bashkimit Evropian në rend dite do të jetë edhe çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Kështu konfirmuan për Telegrafin nga Presidenca çeke e Bashkimit Evropian.
Për diskutimin e dytë të grupit punues për vizat në Këshillin e BE-së, Presidenca çeke ka dërguar një “dokument ndërinstitucional”, në të cilin tashmë është përfshirë edhe kërkesa e Francës e paraqitur në takimin e parë, më 13 tetor.
Franca kërkon që hyrja në fuqi e një vendimi eventual për liberalizimin e vizave për Kosovën, të kushtëzohet me fuqizimin e Sistemit Evropian të Informimit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS). /Telegrafi/