Lidhja Demokratike e Kosovës, ditë më parë e ka bërë të ditur se i ka hequr vijat e kuqe ndaj Partisë Demokratike të Kosovës. Kjo është parë si mundësi që edhe PDK-ja të përfshihet në koalicion. Por, kryeministri Avdullah Hoti thotë se koalicioni aktual është stabil.
Edhe pse i brisht për nga numrat në Kuvend, kryeministri Avdullah Hoti beson se koalicioni qeverisës që ai drejton vazhdon të jetë stabil.
Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu Kodra, thotë se partia saj asnjëherë nuk ka pasur vija të kuqe për partitë tjera.
Ndërsa rreth koalicionit të mundshëm me LDK-në, ajo thotë se fillimisht do diskutohet brenda strukturave të partisë.
“Ajo që PDK e ka thënë në vazhdimësi është se ne nuk kemi vija të kuqe për askënd. Ne kemi qenë të sinqertë me këtë qasje dhe me qëndrimet tona politike…Ne nga zgjedhjet e tetorit jemi përcaktuar për të qëndruar në opozitë dhe ky është edhe vullneti aktual i anëtarësisë së PDK-së”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Blerta Deliu-Kodra.
Ndërsa, gazetari dhe analisti Bekim Kabashi, beson se vijat e kuqe nuk ekzistojnë më ne sistemin politik të Kosovës, dhe një bashkëpunim i ardhshëm mes LDK-së dhe PDK-së, sipas tij, nuk mund të hidhet asnjëherë poshtë.
“Koalicionet LDK-PDK pothuajse asnjëherë nuk kanë qenë të pamundura. Vijat e kuqe mendoj se kanë rënë nga sistemi si strategji politike për të ardhmen. Mirëpo përfshirja e PDK-së në qeverinë aktuale është pak problematike pasi nuk i konvenon PDK-së futja në këtë qeveri”, deklaroi analisti Bekim Kabashi.
Brishtësia e koalicionit aktual, disa herë është dëshmuar në Kuvendin e Kosovës ku qeveria nuk ka arritur të sigurojë 61 vota për kalimin e vendimeve. /RTV Dukagjini/Telegrafi/