Site icon Telegrafi

Deklarata e ndihmës-sekretarit amerikan pas kërcënimeve të Vuçiqit, reagimi i presidentes Osmani dhe largimi i mbi 47 mijë monedhave të falsifikuara – lajmet e javës

Javën që po lëmë pas ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euro-Azinë, James O’Brien në një diskutim online me gazetarë ka folur lidhur me kërcënimet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq ndaj Kosovës, çështjen e dinarit, dialogun etj.

Po gjatë javës lidhur me kërcënimet e Vuçiqit ka reaguar edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Ndërkaq, periudhën e fundit qytetarët po përballen me para të falsifikuara në treg, posaçërisht me monedhën 2 euro. Banka Qendrore e Kosovës ka treguar se mijëra monedha 2 euroshe, të falsifikuara ka larguar nga tregu, gjersa ka treguar aktivitetet që ka ndërmarr për luftimin e kësaj dukurie.

O’Brien: Vuçiq e di se përdorimi i forcës kundër Kosovës do të ishte i papranueshëm

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, ka thënë se janë duke përcjellë lëvizjet e ushtrisë serbe në afërsi të kufirit me Kosovën. O’Brien ka ritheksuar se edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e di së përdorimi i forcës do të ishte i papranueshëm, transmeton Telegrafi.

“Çdo përdorim i forcës kundër Kosovës do të ishte i papranueshme”, duke shtuar se kjo do të konsiderohej edhe si rrezikim i forcave të NATO-s, që gjenden në Kosovë për të mbrojtur shqiptarët dhe serbët.

Lexo po ashtu Danas: Vuçiq nuk e përjashton mundësinë që Serbia të përdorë forcën në Kosovë

Gjatë diskutimit online me gazetarë, O’Brien bëri thirrje të dyja palëve qe të ulin tensionit.

Ai gjithashtu ka folur edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe rregulloren e re të BQK-së.

O’Brien tha se kanë mirëpritur vendimin e Qeverisë për pronat për Manastirin e Deçanit.

Kurse duke folur për dinari, O’Brien tha se nuk duhet marrë vendime që sipas tij, varfërojnë qytetarët.

“Sa i përket urdhrit apo rregullores së BQK-së në lidhje me përdorimin e dinarit, Miroslav Lajçaku, përfaqësuesi i BE-së ka dalë me disa ide tejet specifike. Poenta kyçe këtu është se asnjë qeveri nuk duhet të përpiqet të varfërojë qytetarët e vet dhe e shoh që në veri të Kosovës individët e kanë shumë të vështirë të blejnë produktet që iu duhen”, ka theksuar O’Brien.

Presidentja Osmani për kërcënimet e Vuçiqit ndaj Kosovës: Do të dalë sërish i dështuar

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në një intervistë ekskluzive për Telegrafin gjatë javës që po lëmë pas i është përgjigjur deklaratave kërcënuese të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Osmani tha se deklarata e tij është vetëm vazhdimësi e deklaratave të shumta publike që Vuçiqi i ka dhënë duke kërcënuar “se do ta sulmojë Kosovën”. Sipas saj, Vuçiqi do të dështojë, ashtu si të gjitha përpjekjet e dështuara të Serbisë deri tani.

“Njësoj si edhe në të kaluarën ai duhet ta dijë se do të dalë i dështuar, sepse të gjitha përpjekjet  e Serbisë nga viti 1998-99 e tutje që ta pushtojnë Kosovën dhe ta kenë territorin e Kosovës kanë dështuar. E para, për shkak të sakrificës së popullit të Kosovës dhe luftës sonë çlirimtare dhe e dyta, se në krah kemi pasur gjithmonë miq, popuj liridashës të cilët bashkë me ne kanë mbrojtur vlerat më të rëndësishme të lirisë dhe demokracisë”, është shprehur Osmani.

Lexo po ashtu Osmani: Bashkëpunimi me SHBA-të, i domosdoshëm që kufiri ynë të jetë i sigurt

Gjatë intervistës për Telegrafin, Osmani tha se Kosova është me fat dhe e bekuar që ka në krahë aleatët e saj.

“Edhe sot 25 vite pas kur në qershor do të festojmë këtë përvjetor jubilar të çlirimit të Kosovës jemi me fat e të bekuar si popull që në krahë kemi aleatët tanë të cilët bashkë me ne siç edhe kanë deklaruar së fundmi do ta mbrojnë çdo pëllëmbë të Kosovës. Kështu që Vuçiqi sërish do të dështojë, mirëpo përmes këtyre deklaratave ai po shpërfaq një fakt shumë të rëndësishëm, e kjo është që ai është vazhdimësi e mendësisë së Millosheviqit i cili kërkon territore dhe asnjëherë nuk i intereson për të drejtat dhe liritë e njerëzve”, ka thënë ndër të tjera, presidentja Osmani.

Ndryshe, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka theksuar se nuk e përjashton mundësinë që Serbia të përdorë forcën në Kosovë, për shkak të sjelljes së autoriteteve të Prishtinës dhe komunitetit ndërkombëtar.

BQK-ja dhe bankat për tre muaj i tërhoqën nga qarkullimi mbi 47 mijë monedha 2 euroshe, të dyshuara si të falsifikuara

Banka Qendrore e Kosovës i ka bërë të ditura masat dhe aktivitetet kundër parave të falsifikuara.

Nga dhjetori 2023 deri në mars 2024, janë tërhequr nga qarkullimi dhe deponuar në BQK rreth dy milionë copë monedha të denominimeve prej 2 euro, monedha këto të deponuara nga bizneset dhe qytetarët në bankat komerciale.

“Po ashtu, BQK-ja dhe bankat komerciale kanë detektuar dhe parandaluar hyrjen në sistemin financiar, duke i tërhequr nga qarkullimi rreth 47,168 copë monedha të denominimeve prej 2 euro, të dyshuara si të falsifikuara”, thuhet më tej në njoftim.

Lexo po ashtu Aksion i prokurorisë dhe policë në Prizren – konfiskohen mbi 24 mijë euro që dyshohet se janë të falsifikuara

BQK-ja po ashtu bën të ditur se ka furnizuar ekonominë e Republikës së Kosovës përmes bankave komerciale me afër 6.75 milionë copë monedha euro plotësisht të reja të gjitha denominimeve, 2 euro, 1 euro, 0.50 cent, 0.20 cent. 0.10 cent pa asnjë tarifë të aplikuar.

“Në zbatim të masave rregullative, përmes Rregullores për Operacione me Para të Gatshme, sa i përket rregullimit të transportit ndërkufitar të monedhave me qëllim të parandalimit të futjes së parave të falsifikuara, personat fizikë dhe personat juridikë që nuk ushtrojnë veprimtari financiare, janë të obliguar që të bëjnë deklarimin e monedhave nëse bartin më shumë se 100 copë/njësi, pavarësisht që vlera e tyre është nën kufirin e deklarimit prej 10,000 (dhjetëmijë) euro”, njofton BQK.

Banka Qendrore po ashtu tregon se numri i kartëmonedhave prej 500 (pesëqind) euro të tërhequra nga qarkullimi dhe deponuara në BQK ka kaluar mbi 230,000 (dyqind e tridhjetë mijë) copë/njësi apo mbi 115 (njëqind e pesëmbëdhjetë) milionë euro. /Telegrafi/

Exit mobile version