Gianni De Biasi do të jetë një tifoz special në mbrëmjen e sotme në stadiumin “Letzigrund” të Cyrihut.
Ish-trajneri i Kombëtares kuqezi do të ndjekë nga afër përballjen mes Shqipërisë e Kosovës, një ndeshje që e ka përjetuar edhe vet para pak vitesh.
“Ishte një ndeshje në miqësi të plotë para dy-tri vitesh, mes vëllezërve, por një ndeshje e çuditshme për mua. Preferoj të luaj ndaj kundërshtarëve të vërtetë”, ka thënë fillimisht De Biasi për Top Channel.
“Ndryshimet që ka sjellë Panucci janë të goditura dhe synojnë rritjen e ekipit. Sigurisht ka lënë lojtarë në shtëpi, por duhet të provojë të rinj”.
“Kur të vijë koha e pikëve do të llogarisë vlerësimet e këtyre miqësoreve”.
Italo-shqiptari pranon se tani do të ketë përplasje mes dy federatave për talentet e futbollit.
“Është e qartë që tani, me njohjen e Kosovës do të jetë normale që do të ketë pak konflikt. Por ka hapësirë për të manovruar, sepse ka lojtarë të brezit të dytë që kanë lindur jashtë dhe janë interesantë”.
“Të gjithë sot duan të fitojnë. Mbaj mend herën e fundit ishte një festë e bukur. Sot është ndryshe, pasi është fund-sezoni dhe lojtarët janë të lodhur, e vlerësimet janë të vështira”, përfundoi trajneri italian.