Tashmë është zyrtarizuar dita dhe orari për tri nga ndeshjet më të rëndësishme të futbollit të Kosovës, ndeshjet e barazhit dhe ajo e finales së Kupës.
Sezoni 2022/23 në futbollin e Kosovës po vjen drejt fundit, pasi kanë mbetur vetëm edhe dy xhiro për të përmbyllur Albi Mall Superligën.
Megjithatë, me këto dy xhiro nuk përmbyllet i gjithë sezoni, pasi ka edhe ndeshje të barazhit për një skuadër që hyn në Superligë dhe një tjetër që bien në Ligën e Parë.
Por, kur do të zhvillohen dy ndeshjet e barazhit dhe finalja e Kupës së Kosovës?
Portali Telegrafi ka mësuar datat dhe orarin e këtyre tri ndeshjeve vendimtare për mbetjen/rënien në dhe nga Superliga, si dhe fituesin e Kupës.
Ndeshja e parë në orar për t’u zhvilluar është ajo e barazhit mes vendeve të dyta, në dy grupet, A dhe B të Ligës së Parë.
Kjo ndeshje është paraparë të zhvillohet me datë 27 maj, nga ora 15:00 në stadiumin “18 qershori” në Klinë.
Nga Grupi B tashmë dihet skuadra që do të luajë, Ulpiana, e cila pret njërën mes Lirisë dhe Feronikeli 74, me prizrenasit që kanë më shumë gjasa kur ka mbetur vetëm edhe një ndeshje deri në mbylljen e sezonit në Viva Fresh Ligën e Parë.
Ndeshja e dytë është ajo mes fituesit të barazhit të Ligës së Parë dhe vendit të tetë në Superligën e Kosovës, për një vend në elitën e futbollit kosovar.
Ky takim është paraparë të zhvillohet me datë 4 qershor, nga ora 15:00 në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.
Ndeshja e fundit e sezonit në futbollin kosovar është ajo e finales së Kupës së Kosovës, ku ndeshen Prishtina dhe Gjilani.
Kjo përballje është caktuar të zhvillohet me datë 5 qershor nga ora 18:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet. /Telegrafi/