Conor McGregor është i gatshëm të kthehet në ‘Tetëkëndësh’, tre muaj pas humbjes nga Khabib Nurmagomedov në UFC 229.
Irlandezi ka qëndruar jashtë kafazit që nga muaji tetor, kur pësoi humbje në meçin e tij rikthyes për titullin e UFC-së në kategorinë e peshave të lehta.
Pas atij dueli, janë përmendur shumë emra si kundërshtarë potencialë të ‘The Notorious’, ndërsa ka pasur spekulime se ai mund edhe të pensionohet.
30-vjeçari gjithmonë e ka thënë se dëshiron një rimeç me yllin nga Dagestani, mirëpo kjo nuk pritet të ndodhë në një të ardhme të afërt.
Por, duelet ndaj Tony Ferguson, Al Iaquinta dhe Max Holloway, kanë qenë opsione shumë të mundshme. Ndërsa tash ka dalë një emër i ri.
Donald ‘Cowboy’ Cerrone e mposhti Alexander Hernandezin me një nokaut spektakolar në raundin e dytë këtë fundjavë në kuadër të ‘UFC Fight Night 139’ dhe i bëri ftesë irlandezit për duel.
Ylli amerikan, i cili e fitoi meçin e tretë nga katër ndeshjet e fundit dhe konsiderohet si kundërshtar potencial i McGregorit.
Presidenti i UFC-së, Dana White, ka pranuar se meçi është i mundshëm, edhe pse në dispozicion janë edhe shumë kundërshtarë tjerë.
“Gjithçka mund të ndodhë. Nëse ata e duan përballjen dhe tifozët dëshirojnë ta shohin, atëherë puna ime është ta realizoj”, ka deklaruar White. /Telegrafi/