Site icon Telegrafi

Cramon i reagon ashpër Listës Serbe: Dorëzojeni listën zgjedhore sa më shpejt në KQZ

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, ka reaguar pasi Lista Serbe nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet që do të mbahen në veri të Kosovës.

Në një shkrim në llogarinë e saj në Facebook, Cramon tha se është për keqardhje refuzimi i Listës Serbe.

Ajo kërkoi që ky subjekt politik sa më shpejt ta dorëzojë listën zgjedhore.

“Na vjen keq shumë për refuzimin e Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet në veri të Kosovës. Kërkojmë që të dorëzojë listën e saj zgjedhore pa vonesë”, u shpreh ajo.

Po ashtu, Cramon ka kërkuar nga të dyja palët që të tregojnë përkushtim në zbatimin e = Marrëveshjes dhe Aneksit të  27 shkurtit.

“Apel për të gjithë aktorët përkatës Kosovës dhe Serbisë për të demonstruar përkushtim ndaj Marrëveshjes së 27 Shkurtit dhe Aneksit si me fjalë ashtu edhe me veprime”, u shpreh Cramon.

Ndaj Listë Serbe, ditë më parë reagoi edhe Gjermania.

Zëvendës shefi i misionit të ambasadës gjermane në Serbi, Carsten Meyer-Wiefhausen, të mërkurën ka thënë se pa pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhjet lokale të parakohshme që do të mbahen në katër komunat në veri të vendit, nuk do të ketë krijim të Asociacionit.

Lexo po ashtu Gjermania thotë se pa pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet në veri, s’ka Asociacion

Siç raportojnë mediat në Serbi, Meyer-Wiefhausen e ka sqaruar se formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, nuk është i mundur, nëse listat e kandidatëve për zgjedhjet lokale që Kosova planifikon t’i mbajë në katër komuna në veri të Kosovës, nuk janë dorëzuar.

Ndryshe, zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, janë shpallur për 23 prill, pasi kryetarët e Listës Serbe kanë dhënë dorëheqje për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e procesit të riregjistrimit të automjeteve nga targat serbe në targa të Kosovës.

Lista Serbe thekson se vendimi për të mos marrë pjesë në këto zgjedhje është marrë në përputhje me “pikëpamjet e qytetarëve që ajo i përfaqëson me vite”.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkruar në llogarinë e tij në Twitter, më 23 mars, se refuzimi i Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale është “shenjë e kontrollit të Beogradit mbi partinë dhe e ndërhyrjes së vazhdueshme në punët e brendshme të Kosovës”./Telegrafi/

Exit mobile version