Telegrafi

Courtois ishte i acaruar me renditjen e tij për Topin e Artë

Portieri i Real Madridit, Thibaut Courtois nuk ishte i kënaqur me renditjen që iu bë në Topin e Artë.

Belgu fitoi trofeun “Lev Yashin” si portieri më i mirë i sezonit të kaluar, por kjo nuk e kënaqi atë edhe shumë.

Courtois duhej të kënaqej me vendin e shtatë në renditjen e përgjithshme të Topit të Artë, pavarësisht formës së tij të jashtëzakonshme sezonin e kaluar, e cila përfshinte një paraqitje të mirë në finalen e Ligës së Kampionëve kundër Liverpoolit.

“Jam shumë i lumtur për Karim Benzeman. Nuk po them se do ta kisha fituar, por nuk jam as në podium duke qenë portieri që fitoi La Ligën dhe Ligën e Kampionëve”, deklaroi Courtois për mediat spanjolle.

“Duket se të shënosh një gol është më mirë se ta ndalosh. Është një betejë që mbetet për t’u fituar. Duke parë logjikën dhe duke ditur se si votojnë, e dija se nuk do të kisha asnjë shans për ta fituar atë”.

“Një portier fitues i ardhshëm? E shoh si të pamundur për një portier”, shtoi Courtois.

“Është e pamundur ta fitosh këtë çmim. Nuk e di nëse si portier mund të bësh më shumë se sa kam bërë vitin e kaluar”, vazhdoi ai.

Lev Yashin mbetet portieri i vetëm që ka fituar ndonjëherë Topin e Artë, pasi ka marrë çmimin në vitin 1963. /Telegrafi/