Manchester City mund të nisë negociatat me superyllin e Barcelonës, Lionel Messi, duke arritur marrëveshje për një mega-kontratë që në muajin janar.
Argjentinasi është lidhur me një transferim në Etihad Stadium gjatë kësaj vere, mirëpo Blaugranët nuk e lejuan të largohej, ashtu që ai do ta respektojë kontratën, e cila i skadon në verën e ardhshme.
Në këtë mënyrë, në rast se nuk e zgjat qëndrimin në Camp Nou, 33-vjeçari do të mund t’i fillojë bisedimet me klubet e interesuara që në janar.
Meqenëse nuk ka takim të caktuar me Barcën deri në vitin e ardhshëm, atëherë City planifikon të reagojë i pari duke i ofruar marrëveshje “të parefuzueshme” – shkruan Daily Mail.
Zyrtari i lartë operativ i Manchester Cityt, Omar Berrada, kishte pranuar në muajin e kaluar se klubi anglez do të bëjë përpjekjeje të reja për transferimin e Messit.
Ikona e katalunasve është duke e menduar seriozisht largimin nga klubi ku e kaloi gjithë karrierën profesionale për të kërkuar një sfidë të re. /Telegrafi/