Telegrafi

Çitaku: Pabesueshmërisht e papjekur dhe thellësisht e papranueshme deklarata e Bislimit për aleatët tanë

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka reaguar ndaj deklaratave të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi për lirimin e policëve, duke i vlerësuar ato si të “pabesueshme dhe të papranueshme”.

Çitaku ka kritikuar Bislimin duke thënë se si një zëvendëskryeministër mund të etiketojë të gjitha vendet e rajonit si jodemokratike derisa aleatët i quan të pa aftë për të lexuar drejtë veprimet e Serbisë.

“Pabesueshmërisht e papjekur dhe thellësisht e papranueshme deklarata e ZVKM Bislimi sot.  Si është e mundur që me një deklaratë, ZVKM, në vend se të falënderojë aleatët që siguruan lirimin e policëve të rrëmbyer, etiketon të gjitha vendet e rajonit si jodemokratike, dhe aleatët tanë si të pa aftë për të lexuar drejtë veprimet e Serbisë”, ka shkruar ajo.

Ish-ambasadorja e Kosovës në New York thekson se SHBA-ja e BE-ja nuk kanë nevojë për leksione nga askush për të sqaruar rolin dhe veprimtarinë e Serbisë, pasi kanë shërbime inteligjente më të avancuara dhe të sofistikuara se vendet e rajonit.

Lexo po ashtu Lirimi i policëve, Bislimi: Përveç që nxiti tensione të rrezikshme për dy javë, Vuçiqi vazhdon tutje talljen edhe me popullin e tij

“ZVKM, SHBA-të dhe BE nuk kanë nevojë për leksione (dhe atë mediokre) nga askush për tua sqaruar kush është Serbia. E dinë fare mirë. Kanë shërbime intelegjente shumë më të avancuara e të sofistikuara se ne.  Ndërkohë, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë aleatë tanë. Që të trija anëtare të NATO-s, dhe vende kandidate me negociata të hapura për antarësim në BE. Për më tepër, doza e ironisë shumëfishohet kur këto deklarata vijnë nga një eksponent i lartë i një qeverie e cila u ka shpallur luftë mediave, sindikatave, bizneseve, dhe secilit që nuk mendon si ata”, ka shkruar Çitaku./Telegrafi/