Telegrafi

Çitaku kritikon Sveçlën: Dështuat t’i siguroni vendvotimet e rregullta

Një deklaratë e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, se veriu i Kosovës frymon ndryshe, një ditë para zgjedhjeve lokale, është kritikuar nga nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.

Ish-ambasadorja Çitaku e ka kritikuar ministrin Sveçla, duke thënë se ka dështuar në sigurimin e vendvotimeve të rregullta.

“Ministri i Punëve të Brendshme paska thënë për veriun e vendit ‘Kjo pjesë tashmë frymon ndryshe’. Po Ministër, frymon në kontejnerë. Qeveria e juaj ka dështuar t‘i sigurojë vendvotimet e rregullta. Mos u krekos. Mos na shit dushk për gogla”, ka shkruar Çitaku në Facebook, transmeton Telegrafi.

Lexo po ashtu Sveçla nga ura e Ibrit: Tashmë kjo pjesë frymon më ndryshe

“Tashmë kjo pjesë frymon më ndryshe”, ka shkruar Sveçla në Facebook një ditë para zgjedhjeve në veri, si përshkrim të disa fotografive nga veriu i Kosovës, ku shoqërohej nga ministri Bujqësisë, Faton Peci dhe deputeti Armend Muja.

Zgjedhjet lokale në katër komunat verore mbahen më 23 prill pas dorëheqjeve të katër kryetarëve në vitin e kaluar. /Telegrafi/