Nga: Helen Barrett / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com
Christine McVie e përshkroi krijimin e këngës Songbird – një baladë e pastër në piano që mbyll anën e parë të albumit Rumours të grupit Fleetwood Mac, i shitur në miliona kopje në vitin 1977 – si një lloj vizite shpirtërore. “U zgjova në mes të natës dhe kënga thjesht më erdhi në mendje”, ka thënë ajo. Paul McCartney përshkroi një fenomen të ngjashëm kur tha se Yesterday i kishte ardhur e formuar plotësisht në një ëndërr; David Bowie tha se Life on Mars? iu shfaq teksa ishte në një autobus.
Lexo po ashtu:
– Lamtumirë Christine McVie, faleminderit për muzikën
– Stevie Nicks për muzikën, moshën dhe pavarësinë
Ndoshta shmangia nga talenti i lindur pasqyron një lloj ambivalence ndaj suksesit që ky talent mund të sjellë. Me Fleetwood Mac – grupin britanik të bluzit të cilit McVie iu bashkua në vitin 1970 – ajo bashkëshkroi dhe incizoi albume të arta, të platinit dhe të multi-platinit, duke shitur mbi 120 milionë kopje në mbarë botën. Suksesi i grupit varej kryesisht nga talenti i qetë dhe i sigurt i McVies: ajo krijoi këngët që jehuan për dekada, që nga epika Don’t Stop te kënga e rrjedhshme dhe delikate Everywhere, ndërsa bashkëshkroi edhe shumë të tjera. McVie mund të jetë më pak e njohur se kolegët e saj meshkuj, por arritjet e saj ishin në të njëjtin nivel.
Suksesi i McVies dhe vitet e varësisë, hedonizmit dhe marrëdhënieve të dështuara që i kushtuan asaj, rrëfehen në detaje në biografinë e shkruar nga Lesley-Ann Jones [libri Songbird: An Intimate Biography of Christine McVie] për muzikanten dhe kantautoren angleze, që lindi si Christine Perfect dhe që ndërroi jetë në vitin 2022 në moshën 79-vjeçare.
Karriera e hershme e grupit Fleetwood Mac ishte e pafrytshme; përbërja e grupit dhe kompleksitetet romantike ishin gjithmonë në ndryshim. Por, si një prej “Pesëshes” anglo-amerikane të albumit Rumours – së bashku me Stevie Nicks, Mick Fleetwood, John McVie dhe Lindsey Buckingham – McVie u përball me suksesin e madh në mesin e të tridhjetave të saj. Me tendenca introspektive, ajo ishte, sipas Jonesit, shpesh e vetmuar dhe vetëshkatërruese.
Jones, një biografe dhe gazetare e yjeve të muzikës, ish-autore e rubrikave për Daily Mail dhe The Sun, zakonisht trajton yje muzike që i ka njohur përmes punës së saj; McVie i bashkohet figurave si Bowie, Marc Bolan dhe Freddie Mercury – që ishin disa nga subjektet e saj. (Botuesi i Jonesit e përshkruan atë si një mikeshë të McVies.)
Gjatë periudhës kulmore të Fleetwood Mac-ut, McVie zgjodhi të qëndronte në hije, si kundërpeshë ndaj zërit të mrekullueshëm të Nicksit dhe performancës së saj qendrore me lëvizjet dhe stilet ekstravagante, ku përfshiheshin edhe shallët e shumtë. Si pasojë, McVie përjetoi disa fatkeqësi. Në vitin 1994, Nicks i tha Jonesit se Mick Fleetwoodi e kishte detyruar të kryente katër aborte, sepse, siç shprehet Jones, “ai nuk mund të duronte idenë e një gruaje shtatzënë të fryrë në skenë”.
Por, tërheqja e McVies nuk e mbrojti atë plotësisht. Jones vë në pah triumfet e saj profesionale, por gjithashtu hulumton marrëdhëniet e saj të shumta, dy martesat e dështuara (përfshirë atë me basistin John McVie) dhe marrëdhënien e rëndësishme që pothuajse i kushtoi humbjen e mendjes – atë me Dennis Wilsonin e grupit Beach Boys, një burrë që në historinë e muzikës shpesh përshkruhet si “i rrezikshmi i pashëm.” Historia e tyre është e vlefshme për t’u treguar, sepse ilustron qëndrueshmërinë e McVies dhe ndriçon krijimtarinë e saj muzikore. Romanca shpesh paraqitet si një histori e dashurisë së vërtetë të mallkuar. Jonesi e ripërshkruan atë si një makth.
McVie e takoi Wilsonin në vitin 1978, një dekadë pas periudhës kulmore të Beach Boys dhe përfshirjes së tij me grupin Manson. Wilsoni kishte incizuar një solo-album të vlerësuar nga kritika (Pacific Ocean Blue, 1977), ishte martuar katër herë, kishte katër fëmijë dhe jetonte në mënyrë të pasigurt.
Jonesi sugjeron se Wilsoni ishte paranojak për venitjen e famës së tij dhe kërkonte të afrohej me grupin më të suksesshëm në botë. McVie, e brishtë dhe e varur nga kokaina pas divorcit të saj me John McVien, e përshkroi takimin e tyre si “dashuri absolute në shikim të parë.” Ajo shpresonte të martohej me Wilsonin. Por, ai ishte i paqëndrueshëm, neglizhues me paratë e saj dhe i paaftë për monogami. Duke e përshkruar atë si “të papërmirësueshëm”, ajo insistoi të ndaheshin në vitin 1982; ai u mbyt në një aksident në vitin e ardhshëm. McVie shkroi pafund për Wilsonin, dhe kënga më e njohur është ajo e vitit 1982, Only Over You, me të cilën, siç shprehet Jones, “ajo sikur po përpiqej ta çrrënjoste atë.”
Jones mund të jetë sensacionaliste, meqë ftoi një psikiatër – të cilin McVie ndoshta nuk e ka takuar kurrë – për të komentuar sjelljen e saj. Ajo e citon gjatë atë në një mënyrë që duket e parëndësishme.
Por, si një nga autoret më të njohura të tabloidëve, Jones ka një formulë të fuqishme. Toni i saj i drejtpërdrejtë shmang sentimentalizmin. Mbi të gjitha, ajo kujdeset për dokumentimin e jetës dhe arritjeve të McVies si një forcë e madhe muzikore, ndonëse subjekti i saj ishte një grua modeste që pretendonte se talenti i saj i lindur i detyrohej thjesht faktit se ishte “e mirë në patos”. /Telegrafi/