Site icon Telegrafi

Chollet i kërkon Kurtit ta pranojë propozimin evropian për normalizimin e raporteve me Serbinë

Zyrtari amerikan Derek Chollet ka biseduar përmes telefonit me Kurtin, të cilit i ka kërkuar të pranojë propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. 

Këshilltari në Departamentin Amerikan të Shtetit (DASH), Derek Chollet, ka bërë të ditur se ka biseduar sonte me kryeministrin Albin Kurti.

Chollet përmes një postimi në Twitter i ka kërkuar Kurtit që Kosova ta pranojë propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

”Sot fola me Albin Kurtin për të diskutuar propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe për t’i kërkuar Kosovës që ta pranojë atë. Ndër temat kryesore ishte edhe partneriteti ynë dhe synimi i përbashkët për avancimin e integrimit evropian dhe euroatlantik të Kosovës”, ka shkruar Chollet,transmeton Telegrafi.

Lexo po ashtu Serwer tregon risitë dhe mangësitë e propozimit të fundit franko-gjerman

“Ne diskutuam gjithashtu për rëndësinë e karakterit multietnik të Kosovës dhe ecjen përpara me diskutimet për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe në kontekstin e Dialogut me Serbinë dhe nevojën që serbët e Kosovës të kthehen në institucione”, ka shkruar Chollet.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha të hënën se Serbia do të përballet me pasoja të rënda nëse nuk pajtohet me propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, që u bë i njohur si nisma franko-gjermane.

Ai tha se kjo i është thënë të premten në takimin me të dërguarin evropian Miroslav Lajçak, të dërguarin amerikan Gabriel Escobar dhe të dërguarit e Francës, Gjermanisë dhe Italisë.

Qeveria e Kosovës nuk ka folur ende për këto zhvillime të reja në raport me planin franko-gjerman.

nga ana tjetër edhe diplomatët tjerë perëndimorë kanë kërkuar nga qeveria e Kosovës që të fillojë me zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Propozimi i BE-së, i njohur në publik edhe si plani franko-gjerman, u është dorëzuar palëve në fund të verës, por përmbajtja e tij nuk është bërë publike ./Telegrafi/

 

Exit mobile version