Juventusi ka një marrëveshje bazë me Federico Chiesan dhe ai do të largohet nga Fiorentina vetëm nëse nënshkruan me kampionin – raporton Sky Sport Italia.
Nga ana tjetër, faqja e Gianluca Di Marzio raporton se bëhet fjalë për një kontratë pesëvjeçare me pagë neto vjetore prej pesë milionë eurosh dhe se të gjitha detajet tashmë janë sqaruar.
Fiorentina është në një proces të pronësimit nga biznesmeni italo-amerikan, Rocco Commisso, prandaj Juve do të duhet të negociojë me pronarin e ri.
E rëndësishme është se lojtari ka arritur marrëveshje për kushtet personale dhe do të largohet nga Viola vetëm nëse vesh fanellën bardh e zi.
Ai nuk do të marrë në konsideratë as ndonjë ofertë të majme nga Interi apo ndonjë klub jashtë Italisë, sepse ka vendosur të luajë për Bianconerët.
Nga ana tjetër, Fiorentina kishte lëshuar një komunikatë për media të hënën kur thoshte se Chiesa do të jetë pjesë e skuadrës vjollcë edhe në sezonin 2019/2020. /Telegrafi/