Telegrafi

Chiellini ia kërkoi fanellën Grezdës

Eros Grezda është shndërruar në një titullar fiks të trajnerit Christian Panucci dhe po tregon në fushë se e meriton vërtetë të luajë.

Si ndaj Spanjës, edhe sot (e hënë) gjakovari zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer, ndërsa për pak nuk ndëshkoi edhe portierin legjendar të Italisë, Gianluigi Buffon.

“Trajneri më ka besuar dhe jam munduar t’ia shpërblej me paraqitjet në fushë. Jam në formë të mirë dhe sot u mundova të befasoj Buffonin, por nuk pata fat. Preferoj më shumë të luaj në krah, por jam gati të sakrifikohem ku të ketë nevojë trajneri”, deklaroi sulmuesi.

Grezda vuri në vështirësi edhe një mbrojtës të madh si Giorgio Chiellini, i cili nxitoi t’i ndërrojë bluzën me gjakovarin, në përfundim të ndeshjes.

Shqipëria i mbyllë kualifikimet për Botëror me 13 pikë në vendin e tretë të Grupit G, me 10 pikë më pak se Italia në vendin e dytë dhe 15 pikë më pak se Spanja në vendin e parë.

Shqipëria në kampanjën kualifikuese kishte katër fitore, një barazim dhe pesë humbje. /TCh/Telegrafi/