Ditët e fundit tifozët e Milanit u shqetësuan jo pak pasi ‘The Times’ shkruante se Chelsea kishte vënë në shënjestër Rafael Leaon.
Në fakt nuk është thjesht një thashethem, por një ide me baza, pasi akterët e përfshirë në këtë skenar janë shumë të fuqishëm.
Todd Boehly, presidenti i Chelseat është i gatshëm ti plotësojë edhe një dëshirë të fundit trajnerit Thomas Tuchel, me gjermanin që ka rekomanduar emrin e sulmuesit të Milan, ndërsa Jorge Mendes, agjenti i Leaos, është menaxheri më i fuqishëm në botë, për të asgjë nuk është e pamundur, mjafton të kujtojmë transferimin e Cristiano Ronaldos nga Real Madrid te Juventus.
Sigurisht transferimi i Leao-s nuk është aspak i lehtë pasi bëhet fjalë për një operacion kompleks dhe shumë të kushtueshëm.
Leao është në kontratë me Milan deri në 2024, për t’ia rrëmbyer “djallit” duhet 150 milionë euro, plus 20 të tjera duhet për Sporting, pa llogaritur këtu komisione dhe pagën e lojtarit.
Në këtë kushte, sipas La Gazzetta dello Sport, është thuajse e pamundur që Chelsea të sigurojë kartonin e Leaos, kjo pasi as Milan nuk ka dëshirë të heq dorë nga lojtari, por as ky i fundit nuk dëshiron të largohet nga “San Siro”, për momentin ndihet komod dhe i përfshirë 100 për qind në projektin e kuqezinjve.
Milan dhe Leao kanë kohë që po diskutojnë detajet e një rinovimi të mundshëm, ku parashikohet heqja e klauzolës së largimit prej 150 milionë euro dhe një rritje e ndjeshme e pagës. /Telegrafi/