Skuadra angleze, Chelsea, ka bërë ofertën fillestare për sulmuesin e Interit, Mauro Icardi.
Kapiteni i Interit pritet të jetë njëri nga emrat më të nxehtë në afatin kalimtar veror.
Megjithatë, largimi i tij nga Interi mendohet të jetë i vështirë, pasi argjentinasi disa herë ka theksuar se është i dashuruar në ngjyrat zikaltër.
Edhe drejtuesit e Interit janë duke punuar në rinovimin e kontratës së tij dhe duan që sa më shpejt të përfundojnë negociatat dhe të rritet klauzola e tij.
Por, kjo nuk i ka ndalur ekipet të bëjnë ofertë për të dhe të tentojnë të ‘rrëmbejnë’ ylli argjentinas nga Interi.
Sipas gazetës spanjolle AS, Blutë e Londrës kanë bërë një ofertë fillestare në vlerë të 63 milionë eurove për Icardin.
Drejtuesit e klubit londinez nuk janë të kënaqur me rendimentin e Alvaro Moratas dhe duan ta bëjnë argjentinasin sulmuesin kryesor të skuadrës.
Megjithatë, transferimi i kapitenit të Nerazzurrëve nuk mendohet se do të materializohet pasi klauzola e tij është 110 milionë euro dhe me rinovimin e kontratën do të shkoj deri në 200 milionë euro. /Telegrafi/