Site icon Telegrafi

Çfarë thanë kandidatët në ditën e parë të fushatës

Subjektet politike që garojnë për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, kanë filluar zyrtarisht fushatën elektorale, e cila do të zgjasë deri në orën 07:00 të datës 9 shkurt.

Në këtë garë zgjedhore marrin pjesë 28 subjekte politike me gjithsej 1.280 kandidatë.

Ish-kryeministra e ish-ministra synojnë të udhëheqin Qeverinë e re.

Në ditën e parë të fushatës, retorika e liderëve politikë ishte mjaft e ashpër.

Kryeministri dhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti ka akuzuar dy partitë opozitare për raportet e tyre me Serbinë.

“Njëra prej partive, LDK-ja, është e tillë që presidentit të Serbisë i thotë “razumen”. E partia tjetër, PDK-ja, është e tillë që presidentit të Serbisë i thotë:  “We are not problematik guys””, ka deklaruar Kurti në hapjen e fushatës në Gjakovë.

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza është zotuar për rritje të pagave dhe pensioneve, zhvillim ekonomik, siguri energjetike, sigurime shëndetësore, arsim cilësor, si dhe kultivimin e raporteve të mira me aleatët.

“Vizioni për një Kosovë ma të mirë, ku secili qytetar përparon, nuk është një ëndërr. Është premtim. Një premtim për çdo familje, çdo të ri e të re, çdo të moshuar, që do të punoj pa u ndalur për t’ua përmirësuar mirëqenien në shtetin tonë. Po, Kosova mundet ma mirë”, tha Hamza nga Prishtina.

Derisa i pari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ironizoi me moton që subjekti i Albin Kurtit e ka pasur në periudhën parazgjedhore.

“Le t’u themi cep më cep, paratë e vjedhura do t`i ktheni cent më cent”, u shpreh Lumir Abdixhiku nga Prishtina.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka zgjedhur që hapjen e fushatës ta bëjë nga një lokacion simbolik.

“Prekazi na bashkon. Prekazi është betimi ynë për shtet e atdhe, për liri e për demokraci. Prej këtu, nisemi për Parlamentin e Kosovës, me 9 shkurt me votën e qytetarëve, vazhdojmë për Kosovën fituese, anëtare e NATO-s, e zhvilluar ekonomikisht dhe e barabartë me shtetet më të zhvilluara”, ka deklaruar Haradinaj”, ka deklaruar Haradinaj.

Bartësi i Koalicionit për Familjen, Erman Rrahmani para anëtarëve e mbështetësve tha se si subjekt politik do t’i mbrojnë vlerat e familjes.

“Secili kandidatë këtu ka synim të mbrojë vlerën e familjes. Duhet që angazhimin e nënave tona ta konkretizojmë me politika tona. Familja është e ardhmja”, tha ai.

Exit mobile version