Të paktën 120 njerëz kanë humbur jetën dhe qindra të tjerë raportohen të zhdukur në Evropën Perëndimore për shkak të disa prej përmbytjeve më të mëdha në dekada.
Sipas BBC, përcjell Telegrafi, në Gjermani, të paktën 103 njerëz janë mbytur – dhe më shumë se 1,000 janë ende të pagjetur. Viktimat përfshijnë 12 banorë të një strukture jetese të asistuar për personat me aftësi të kufizuara në qytetin e Sinzig.
Në Belgjikën fqinje, janë regjistruar të paktën 20 viktima. Kryeministri, Alexander De Croo ka thënë se përmbytja është më e rënda që vendi ka parë ndonjëherë dhe me këtë rast ka shpallur një ditë zie kombëtare.
Në Holandë, qindra njerëz janë evakuuar në qytetin e Meerssen pas një shpërthimi të ‘një muri mbrojtës’.
Punonjësit e urgjencës po nxitojnë për të shpëtuar qindra njerëz që janë ende në rrezik, derisa kancelarja gjermane, Angela Merkel ka bërë thirrje për veprim vendimtar kundër ndryshimit të klimës.
Përveç, Gjermanisë, Belgjikës dhe Holandës, vendet e prekura gjithashtu nga përmbytjet janë edhe Luksemburgu dhe Zvicra.
Shumë faktorë kontribuojnë në përmbytjet, por një atmosferë ngrohëse e shkaktuar nga ndryshimi i klimës i bën reshjet ekstreme më të mundshme. /Telegrafi/