Site icon Telegrafi

Çfarë përmban propozimi i Hamasit për një armëpushim 135-ditor në Gaza?

Në një propozim të dorëzuar nga ndërmjetësit në Katar – dhe që është parë nga Al Jazeera – Hamasi ka përshkruar planet për një armëpushim me Izraelin në Gaza, duke nxitur shpresat për përfundimin e luftës pas 124 ditësh bombardimesh dhe pushtimi tokësor në Rripin e Gazës.

Propozimi vjen në kohën kur të paktën 27,585 njerëz janë vrarë dhe 66,978 janë plagosur në sulmet izraelite në Gaza që nga 7 tetori.

Mijëra të tjerë kanë humbur nën rrënoja dhe supozohen të vdekur.

Ndërkohë shqetësimet po shtohen për një pushtim ushtarak tokësor të Rafahut, qyteti i fundit në brez, ku strehohen 1.4 milion njerëz të zhvendosur.

Plani i paqes i Hamasit, të cilin grupi e quan “të arsyeshëm dhe realist” është paraqitur në përgjigje të propozimeve të dërguara javën e kaluar nga ndërmjetësuesit e Katarit dhe Egjiptit, të cilët kanë zhvilluar negociata me Izraelin dhe SHBA-në në një shtytje të nivelit të lartë diplomatik për t’i dhënë fund luftës, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu Marrëdhënie diplomatike? Arabia Saudite vjen me një kusht për Izraelin

Në planin e tij, Hamasi ka sugjeruar një proces armëpushimi me tri faza që do të lirojë pengjet dhe të burgosurit nga të dyja palët. Çdo fazë do të zgjaste 45 ditë, sipas planit.

Izraeli ende nuk i është përgjigjur propozimit të Hamasit, megjithëse “detajet e tij janë duke u vlerësuar tërësisht”, thanë zyrtarët.

Megjithatë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe zyrtarët e lartë izraelitë kanë deklaruar vazhdimisht se trupat izraelite nuk do të urdhërohen të tërhiqen derisa Hamasi të “shkatërrohet”.

Ja çfarë propozon Hamasi:

Faza e parë:

Në 45 ditët e para, Hamasi propozon të lirojë të gjithë robërit femra izraelite që grupi i mori peng më 7 tetor.

Të burgosurit meshkuj nën moshën 19 vjeç dhe që nuk janë anëtarë ose rekrutues në forcat e armatosura izraelite, të moshuarit dhe të sëmurët do të lirohen gjithashtu.

Është e paqartë se sa prej më shumë se 100 robërve që dihet se janë ende gjallë përfshihen në këto kategori.

Në këmbim, Hamasi dëshiron që Izraeli të lirojë 1500 palestinezë që mbahen në burgjet izraelite, duke përfshirë të gjitha gratë, fëmijët dhe të moshuarit.

Rreth 5,200 palestinezë ishin pas hekurave në Izrael deri në tetor të 2023, mes tyre 33 fëmijë dhe 170 gra.

Në mesin e të burgosurve palestinezë që do të lirohen, 500 duhet të jenë njerëz që aktualisht vuajnë dënimin e përjetshëm dhe afate të tjera të zgjatura.

Hamasi po kërkon gjithashtu që të paktën 500 kamionë me ndihma humanitare dhe kamionë karburanti të lejohen në Gaza çdo ditë.

Lexo po ashtu Ky thuhet të jetë njeriu që 'mban çelësin e armëpushimit në Gaza' – Hamasi i vendosur "për ta shkëmbyer" atë me pengjet izraelitë

Ai ka kërkuar sigurimin e 60,000 shtëpive të përkohshme dhe 200,000 tendave dhe ka përcaktuar që palestinezët e zhvendosur në Gaza duhet të lejohen të kthehen lirisht në shtëpitë e tyre, pa pengesa, në kontekstin e një armëpushimi të përkohshëm të ndërsjellë.

Hamasi nuk ka përcaktuar se nga duhet të vijnë financimet për shtëpitë dhe çadrat.

Përveç kësaj, grupi dëshiron që të gjitha pikat e kalimit në Rripin e Gazës të hapen dhe që palestinezët e Gazës që kërkojnë kujdes mjekësor të jenë në gjendje të udhëtojnë lirisht jashtë rripit.

Në këtë pikë, shton grupi, mund të fillojnë bisedimet rreth kërkesave për një “armëpushim të plotë”, përcjell Telegrafi.

Faza e dytë:

Në fazën tjetër, gjithashtu që do të zgjasë për 45 ditë, Hamasi thotë se do të lirojë të gjithë robërit e mbetur meshkuj izraelitë dhe në këmbim, trupat izraelite do të tërhiqen nga të gjitha zonat e Gazës.

Në këtë pikë, thotë Hamasi, ndihma e mëtejshme humanitare duhet të lejohet në Gaza, ndërsa rindërtimi i infrastrukturës së dëmtuar duhet të fillojë.

Bisedimet rreth kërkesave për një “armëpushim të plotë” dhe një kthim në “një gjendje qetësie” duhet të fillojnë përpara se të fillojë faza tjetër.

Faza e tretë:

Së fundi, Hamasi propozon që të dyja palët të lirojnë çdo “trup apo mbetje” në këtë fazë, pas proceseve të duhura identifikimi.

Çdo masë humanitare për të cilën është rënë dakord në fazën e parë dhe të dytë duhet gjithashtu të vazhdojë.

Çfarë tjetër ka në propozim?

Hamasi thotë se çdo fazë e armëpushimit duhet të përfundojë përpara se të fillojë faza tjetër.

Grupi gjithashtu thekson se Izraeli duhet të lehtësojë rindërtimin e plotë të shtëpive të shkatërruara në Gaza, si dhe të objekteve publike dhe infrastrukturës tjetër ekonomike brenda tri viteve.

Hamasi kërkon më tej që kolonët izraelitë të ndalojnë sulmet në xhaminë Al-Aksa dhe që situata në xhami të kthehet në kushtet e para vitit 2002. Është e paqartë se cilave kushte i referohet Hamasi.

Lexo po ashtu Pse rebelët Houthi të Jemenit e mirëpresin një konflikt me SHBA-në?

Në vitin 2002, gjatë Intifadës së dytë, ose “kryengritjes”, të shkaktuar nga vizita e ish-kryeministrit izraelit Ariel Sharon në Al-Aksa, trupat izraelite goditën palestinezët.

Duke folur për Al Jazeera, zëdhënësi i Hamasit, Muhammad Nazzal tha se grupi dëshiron që Katari, Egjipti, Shtetet e Bashkuara, Turqia dhe Rusia të veprojnë si “garantues” për të siguruar zbatimin e saktë të kushteve të marrëveshjes, nëse miratohet, përcjell Telegrafi.

Ai shtoi megjithatë se grupi nuk është i gatshëm të negociojë mbi kushtet e propozimit.

“Midis këtyre detajeve, asnjë nuk mund të komprometohet”, tha Nazzal. “Makineria izraelite e vrasjeve duhet të ndalet. Ne dëshirojmë të shohim tërheqjen e plotë të forcave pushtuese izraelite nga Rripi i Gazës. Përgjigja jonë është realiste dhe kërkesat tona janë të arsyeshme”.

“Sapo të fillojë [plani], çdo pengesë mund të rishikohet gjatë rrugës për të arritur një marrëveshje përfundimtare”.

A do të pajtohet Izraeli me marrëveshjen?

Mossad, agjencia e inteligjencës së jashtme izraelite, aktualisht është duke e vlerësuar propozimin, kanë thënë autoritetet izraelite.

Nuk ka një afat kohor të caktuar për një përgjigje.

Duke folur me gazetarët të martën ndërsa negociatat po vazhdonin, presidenti i SHBA-së, Joe Biden e quajti propozimin “pak si të ekzagjeruar”.

Megjithatë, Sekretari i Shtetit, Anthony Blinken ndodhet aktualisht në Izrael dhe do të përpiqet të bindë liderët izraelitë që të pranojnë një armëpushim.

Në vizitën e tij të pestë në rajon që nga fillimi i luftës, Blinken do të takohet me Netanyahun, shefin e ushtrisë Herzi Halevi, ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant dhe presidentin izraelit, Isaac Herzog.

Blinken do të zhvillojë gjithashtu bisedime me presidentin palestinez, Mahmud Abbas.

Kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani u takua me Blinken të martën.

Pas njoftimit, ai u tha gazetarëve se propozimi i Hamasit ishte “përgjithësisht pozitiv”.

E zyrtarët egjiptianë i thanë Reuters se përgjigja e Hamasit tregoi “fleksibilitet” dhe se negociatorët e tyre do të ndihmonin për të arritur një marrëveshje.

Edhe pse jo pjesë e negociatave, Arabia Saudite bëri thirrje të mërkurën për një shtet palestinez të bazuar në kufijtë e vitit 1967 me një kryeqytet të Jerusalemit Lindor, si kusht përpara se të pranojë të njohë shtetësinë e Izraelit dhe të “normalizojë” marrëdhëniet – një skenar që SHBA po e shtyn.

Palestinezët, përfshirë Hamasin, kanë kërkuar prej kohësh të krijojnë një shtet në Rripin e Gazës, Bregun Perëndimor dhe territoret e Jerusalemit Lindor që Izraeli pushtoi në vitin 1967.

Hussein Haridi, ish-ministri i Jashtëm egjiptian, i tha Al Jazeera se Izraeli mund të përpiqet të zbusë disa aspekte të propozimit, por se palët ndërmjetësuese do të përpiqen të shtyjnë për një kompromis për të arritur një marrëveshje.

Por Izraeli mund të mos pajtohet me një marrëveshje armëpushimi ende, tha Rory Challands i Al Jazeera, duke raportuar nga Jerusalemi Lindor i pushtuar.

Opinioni publik izraelit është shumë në favor të qëndrimit të Netanyahut për të vazhduar luftën dhe mund të pengojë bisedimet e paqes, mendon ai. /Telegrafi/

Exit mobile version