Telegrafi

Çfarë është HIMARS, sistemi i avancuar raketor që Biden po ia dërgon ukrainasve?

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar se në Ukrainë do të dërgojnë sistemin e avancuar raketor HIMARS, ku me këto raketa ushtria ukrainase do të jetë në gjendje që në mënyrë precize të godasin caqet në një distancë prej 80 kilometrave.

Ishte pikërisht presidenti amerikan Joe Biden, që e kumtoi lajmin për dërgimin e sistemit raketor në Ukrainë. Kjo armë e re e njohur si HIMARS apo MLRS, është një njësi mobile që të njëjtën kohë mund të lansojë dhjetëra raketa që me precizitet të paparë godasin objektivin, transmeton Telegrafi.

Rusia dhe Ukraina tashmë përdorin sisteme tjera raketore, por HIMARS është superior kur bëhet fjalë për rreze veprimi dhe precizitet.

Lexo po ashtu Biden paralajmëron se do t’i dërgojë Ukrainës sistemin e avancuar raketor dhe municion

M142 HIMARS është sistem i modernizuar raketor – i lehtë dhe version më i avancuar se M270, që SHBA-të e zhvilluan gjatë viteve të 70-ta. Sistemi që do të arrijë në Ukrainë ka një rreze veprimi prej 80 kilometrave.

Sistemi mund të bartë gjashtë raketa të kalibrit 227 milimetra apo një raketë taktike ATACMS, me rreze veprimi prej 300 kilometra.

Deri më tani është bërë e ditur se Shtetet e Bashkuara nuk do të dërgojnë në Ukrainë raketat ATACMS.

Lexo po ashtu Biden: S’ka indikacione që Rusia synon të përdor armë bërthamore në Ukrainë

Me një personel të vogël, HIMARS mund të mbushet pas përdorimit dhe atë brenda 60 sekondave, por për një gjë të tillë nevojitet trajnim i detajuar për ushtarët.

Kjo armë në Ukrainë do t’i jep një mundësi këtij vendi që të depërtojë më thellë në territoret që i kontrollon ushtria ruse. Ky sistem paraqet rrezik të madh edhe për depot e armët e ushtrisë ruse si dhe bazat logjistike – që do të mund të çonte në probleme shtesë për logjistikën ruse. /Telegrafi/