Site icon Telegrafi

Çështja e dinarit, Hovenier: E rëndësishme të ndryshohet mënyra e zbatimit të rregullores së BQK-së

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka takuar sot zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, një ditë pas takimit në Bruksel ku është diskutuar për çështjen e dinarit.

Hovenier para mediave u shpreh se është mirë që nga takimi i djeshëm kanë parë hapa pozitiv.

Ai shtoi se ShBA-të, respektojnë ligjshmërinë e Bankës Qendrore të Kosovës.

“Duke respektuar autoritetin e Bankës Qendrore, ne e kuptojmë se ajo ka përgjegjësinë të qeverisë dhe të përcaktojë politikën monetare për të gjithë territorin e republikës së Kosovës, kjo nuk ka të bëjë me dinarin, por me mënyrën se si është zbatuar rregullorja e Bankës Qendrore”, tha Hovenier.

Lexo po ashtu Qeveria jep detaje nga takimi i Bislimit me Petkoviqin në Bruksel

Ambasadori shtoi se është e rëndësishme që të ndryshohet mënyra e zbatimit të kësaj rregulloreje.

“Siç tha kolegu im javën e kaluar, Gabriel Escobar ne jemi të shqetësuar për atë se kjo mund të ndikojë në popullatën e cenueshme dhe mendoj që është me rëndësi që të ndryshohet mënyra e zbatimit dhe bisedimet tona për këtë çështje vazhdojnë”, tha ai.

Ambasadori shtoi se Bislimi nuk i ka treguar propozimet e Kosovës, pasi ka thënë se Qeveria po punon në to.

Hovenier u shpreh optimist edhe për takimin e paralajmëruar për javën e ardhshme. /Telegrafi/

Exit mobile version