Telegrafi

Certifikohen edhe 325 ushtarë të rinj, Osmani dhe Kurti kërkojnë që vendit t’i shërbehet me besnikëri

Ushtrisë së Kosovës sot i janë bashkuar edhe 325 ushtarë të rinj.

Në ceremoninë e certifikimit të ushtarëve të rinj kanë marrë pjesë edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, transmeton Telegrafi.

Para ushtarëve, udhëheqësit e shtetit u shprehen krenar me ushtarët e rinj.

Presidentja Osmani në fjalimin e saj tha se ushtarët sot filluan rrugëtimin me shumë sfida për mbrojtjen e atdheut.

“Ndjehem e lumtur që në këtë ceremoni të veçantë ndajmë së bashku emocionet e festës dhe kurorëzimit të suksesit të madh të 325 djemve e vajzave tona të gjeneratës 2023 të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Të dashur ushtarë jam krenare që sot do të mbani uniformën e forcave tona jam krenare që jeni trashëgimtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Duke filluar rrugëtimin tuaj me plot sfida në mbrojtjen e atdheut tonë të dashur republikës së Kosovës, ju duke përvetësuar mësime dhe trajnime jeni formësuar dhe zhvilluar në ushtarak dhe karakter që përvetësojnë idealet e shenjta të detyrës nderit dhe atdheut, të ndërlidhura me vlerat dhe standardet me të larta të ushtarakëve të vendeve anëtare të NATO-s”, tha Osmani.

Osmani duke iu drejtuar ushtarëve bëri thirrje për besnikëri ndaj detyrës për mbrojtjen e atdheut.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti u shpreh se sot kurorëzojnë suksesin e ushtarëve të ri.

“Nga sot ju filloni detyrën fisnike po aq edhe sfiduese, për t’i shërbyer atdheut në mbrojte dhe ruajte së paqes. U zotuam se ushtria do ta ketë përkrahjen e pakursyer të qeverisë, këtë e kemi dëshmuar çdo vit të qeverisjes sonë, fillimisht në vitin 2021, e ngritëm buxhetin për herë të parë mbi 100 milionë euro. Nga ai vit buxheti për ushtri ka qenë për herë e më i madh e gjithmonë në ngritje sivjet ai ishte mbi 200 milionë euro. Sipas kriterit të shteteve anëtare të NATO-s”, ka thënë Kurti

Kryeministri shtoi mes tjerash se “sot po shënojmë sot pothuajse dyfishimin e numrit të përgjithshëm të ushtrisë”.

“Teksa kemi katërfishuar trajnimet e ushtarëve në raport me qeverisjet e kaluara. Ushtria po rritet dhe do të zhvillohet në vazhdimësi me të rinj e të reja, si ju që duan t’i shërbejnë atdheut pikërisht si shqiponja sypatrembur që qëndisur si emblemë keni në krahë e që me nder dhe krenari bartin veshur uniformën e Forcës së Sigurisë së Kosovës”./Telegrafi/