Ish-drejtori sportiv i Monacos, Luis Campos ka folur fjalë të mëdha për talentin francez të Paris Saint-Germain, Kylian Mbappe.
Campos ka thënë se e sheh Mbappen në të ardhmen të luaj për Real Madridin dhe të fitojë më shumë Topa të Artë se Cristiano Ronaldo.
“Kylian përfaqëson shampanjën e futbollit, të cilin e pëlqejmë ta shohim dhe si futbollist i nivelit të lartë e shoh atë duke veshur fanellën e Real Madridit”, ka thënë fillimisht Campos për Telefoot.
“E shoh te Real Madridi sepse është një klub i bërë për trupin e tij, ku lojtarët e mëdhenj duan të shkojnë”.
“Në të ardhmen, unë imagjinoj veten duke ndjekur një ndeshje në Santiago Bernabeu dhe duke shijuar shfaqjen që Mbappe mund të ofrojë”.
“Në ditët e sotme, ai është më vendimtar sesa Neymar dhe duke pasur parasysh moshën e tij, ai do të jetë shumë më i mirë se Cristiano Ronaldo”.
“Unë e shoh atë duke fituar më shumë Topa të Artë”, përfundoi ish-drejtori sportiv i Monacos.
Mbappe ka shënuar 16 gola deri më tani në këtë sezon në 19 paraqitje në të gjitha garat me PSG-në. /Telegrafi/