Reprezentuesi i Turqisë, Hakan Calhanoglu nuk përjashton një lëvizje te klubi turk Galatasaray, pasi kontrata e tij me Milanin skadon këtë muaj.
Turqia po përgatitet të përballet me Italinë në ndeshjen hapëse të Euro 2020 këtë javë dhe Calhanoglu pritet të fillojë ndeshjen si titullar në Olimpico.
Mesfushori i Milanit, i cili nuk ka rinovuar me klubin, foli për të ardhmen e tij me dhe u pyet për një lëvizje të mundshme te Galatasaray.
“Jam i hapur për gjithçka, asgjë nuk është e pamundur. Nëse marr një ofertë të mirë, pse jo?”, ka thënë Calhanoglu për TV1000.
Calhanoglu luajti 33 ndeshje të Serie A në sezonin 2020-21, duke ndihmuar Milanin të sigurojë një vend në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm.
Ai ka luajtur 172 ndeshje në të gjitha garat, duke kontribuar me 32 gola dhe 48 asistime, që kur u transferua në Milano nga Bayer Leverkusen në vitin 2017. /Telegrafi/