Gjykata e Posaçme në Shqipëri (SPAK) ka caktuar datën 12 tetor për mbajtjen e seancës së parë të gjyqit ndaj Alfred Belerit.
Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës do të ulet në tavolinën e të pandehurve, si i akuzuar nga SPAK për “korrupsion në zgjedhje”.
Më 14 shtator, Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, vendosi të kalojë për gjykim çështjen e Belerit, i arrestuar me akuzën e Korrupsionit aktiv në zgjedhje.
Beleri u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit. Sipas prokurorisë, ai ka ofruar para në këmbim të votave në favor të tij.
Arrestimi i Belerit ka shkaktuar përplasje diplomatike me Greqinë, e cila ka kërcënuar Shqipërinë në lidhje me integrimin e vendit në BE. Kundër arrestimit të tij, janë zhvilluar edhe protesta në Himarë nga mbështetës dhe simpatizantë të tij. /Telegrafi/