Telegrafi

Busquets arsyeja pse Alonso nuk iu bashkua Barcës në vitin 2009, pastaj shkoi te Reali

Mesfushori i Bayern Munichut, Xabi Alonso, ka thënë se kishte qenë shumë afër Barcelonës para se të transferohej te Real Madridi.

Në vitin 2009, spanjolli u largua nga Liverpooli për të shkuar te Los Blancos, ku e fitoi La Ligan, Ligën e Kampionëve, Kupën e Mbretit dhe Superkupën e Spanjës, kurse më pas (në vitin 2014) iu bashkua Pep Guardiolas te bavarezët.

35-vjeçari tash ka treguar se strategu spanjoll e kishte kërkuar edhe gjatë kohës sa i drejtonte Blaugranët, mirëpo trajneri në fund kishte vendosur që Sergio Busquets ishte lojtari më i mirë për atë pozitë.

“Ndodhi pak para se të shkoja te Real Madridi. Liverpooli më njoftoi se donin të më shisnin, edhe Benitezi, ndërsa Pep shfaqi interesim”.

“Ai donte të më transferonte, sepse siç i kishte thënë Rafas, unë isha lojtari që do të përshtatesha në modelin e tij të lojës”.

“Mirëpo, ai kishte dyshime, sepse Busquets sapo ishte shfaqur dhe po bëhej lojtar fantastik. Guardiola e zgjodhi atë dhe nuk gaboi”, ka treguar Alonso. /Telegrafi/