Telegrafi

Burim Ramadani dorëhiqet nga AKI-ja, Kujtim Shala emërohet në vend të tij

Burim Ramadani ka dhënë dorëheqje nga pozita e Inspektorit të Përgjithshëm të AKI-së. Lidhur me këtë vendim të tij, janë njoftuar edhe presientja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti sot janë njoftuar nga Inspektori i Përgjithshëm i deritashëm i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, z. Burim Ramadani për dorëheqjen e tij nga kjo pozitë. Ata kanë falënderuar z. Ramadani për shërbimin e tij në AKI nga viti 2019 dhe i kanë uruar suksese të mëtejme në angazhimet e tij profesionale”, thuhet në njoftim.

Më tej pas konsultimeve, presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti kanë emëruar Inspektor të ri të Përgjithshëm të AKI-së,  Kujtim Shala, i cili deri më tani ishte i angazhuar në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Ramadani ishte emëruar në detyrën e Inspektorit të Përgjithshëm të AKI-së më 25 nëntor 2019, ndërsa paraprakisht ka qenë Zëvendësministër i Mbrojtjes (fillimisht zëvendësministër i FSK-së), 2018-2019, dhe Koordinator Nacional për Integrim dhe Anëtarësim në NATO, 2019. /Telegrafi/