Pas javësh debati Unioni CDU/CSU në opozitë dhe koalicioni qeverisës votojnë së bashku të enjten në Bundestag për furnizimin e Ukrainës me armë të rënda.
Bundestagu gjerman kërkon të dërgojë një sinjal solidariteti dhe mbështetje për Ukrainën, por edhe të tregojë unitetin brenda politikës gjermane.
Pas disa javësh debati, Unioni i CDU/CSU dhe partitë e koalicionit qeverisës, SPD, Të Gjelbrit dhe FDP kanë shuar grindjen për dërgimin e armëve të rënda në Ukrainë dhe votojnë të enjten së bashku për dorëzimin e tyre.
Në një deklaratë të publikuar në Berlin të mërkurën nga krerët e grupeve parlamentare thuhet se ky është një sinjal i përgjegjësisë për Ukrainën dhe vendosmërisë kundër agresionit të Rusisë.
Gjermania qëndron e vendosur në krah të Ukrainës në luftën e saj për liri, theksojnë parlamentarët gjermanë.
Mbështetja për të drejtën e vetëmbrojtjes e Ukrainës është me rëndësi për mbrojtjen e paqes dhe lirisë në Evropë dhe po ashtu për kërkimin e një zgjidhjeje diplomatike.
Në lidhje me dërgimin e armëve thuhet, se “në pajtim me Kartën e Kombeve të Bashkuara Gjermania dërgon armë për vetë mbrojtje në Ukrainë dhe miraton dërgimin nga shtete të treta”.
“Kjo vlen edhe për dërgimin e armëve të rënda në ujdi me partnerët e NATO-s”.
Vetëm para pak ditësh Gjermania bëri një kthesë të dytë në politikën e saj ndaj Ukrainës duke vendosur të dërgojë armë të rënda. Në kuadër të takimit të ministrave të Mbrojtjes së vendeve të NATO-s në bazën amerikane në Ramstein, ministrja gjermane e mbrojtjes, Christine Lambrecht, kishte bërë të ditur, dërgimin e tankeve kundërajrore duke theksuar se “ndihma jonë është koordinuar me partnerët e tjerë të NATO-s”.
Ndërkohë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres vazhdon misionin e ndërmjetësimit në Ukrainë dhe takohet të enjten me presidentin Volodymyr Zelensky.
Një nga temat kryesore pritet të jetë gjendja në qytetin juglindor ukrainas, Mariupol, ku trupat ukrainase dhe civilët janë rrethuar nga ushtria ruse. /dw/