Telegrafi

Bulliqi merr vendim, ndalohet përdorimi i telefonit gjatë procesit mësimor në shkollat e komunës së Podujevës

Kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka marr vendim për ndalimin e posedimit të telefonit gjatë procesit mësimor nga nxënësit, mësimdhënësit, stafi profesional dhe punëtorët tjerë në mjediset – ambientet e institucioneve edukative-arsimore para universitar në Komunën e Podujevës.

Një vendim i tillë hyn në fuqi më 1 shkurt 2024.

“Bazuar në udhëzuesin nr. 20/2018 të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit sot kam marrë vendim për ndalimin e posedimit të telefonit gjatë procesit mësimor nga nxënësit, mësimdhënësit, stafi profesional dhe punëtorët tjerë në mjediset – ambientet e institucioneve edukative-arsimore para universitar në Komunën e Podujevës.

Për zbatimin e këtij vendimi do të kujdesen Drejtoria e Arsimit dhe Drejtorët e institucioneve të arsimit para universitar.

Vendimi hyn në fuqi nga data 1 shkurt 2024”, shkruan Bulliqi në Facebook.


Ndryshe, ditë më Podujeva u trondit nga një ngjarje e rëndë, ku një 18 vjeçar, Lulzim Fejzullahu ka ndërruar jetë në QKUK, si pasojë e lëndimeve të rënda që kishte pësuar nga goditja me veturë dhe pastaj me shufra metalike nga dy të mitur.

Nga Klinika e Intensivës kanë treguar se ai kishte lëndime të rënda e gjakderdhje në kokë, por s’kishin parë plagë therëse.

Policia e Kosovës e kishte cilësuar fillimisht rastin si therje me thikë, por pas publikimit të pamjeve nga ky rast u dëshmua e kundërta.

Ndërkaq, dy të miturit të cilët dyshohen për vrasjen e 18-vjeçarit L.F., (rasti fillimisht ishte kualifikuar si “Vrasje në tentativë”), në seancën dëgjimore  të mbajtur më 15 janar 2024 në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kishin kundërshtuar kërkesën për caktimin e paraburgimit dhe kishin dhënë versionet e tyre për ngjarjen. /Telegrafi/