Telegrafi

Britaniku i liruar nga Rusia rrëfen tmerrin që përjetoi në burg – tregon momentin kur “u bë gati” të vdiste

Një britanik i liruar nga Rusia ka thënë se ai “u trajtua më keq se një qen” dhe u mbajt në izolim për pesë muaj.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Aiden Aslin është kthyer në Mbretërinë e Bashkuar pasi u ndalua për muaj pas marrjes peng nga forcat e mbështetura nga Rusia në Ukrainë.

Duke folur për Sun të dielën, ai tha se pasi u godit me thikë, u pyet nëse donte një vdekje të shpejtë apo të “bukur”.

Veç kësaj, ai tha se të burgosurit duhej të këndonin himnin kombëtar rus çdo mëngjes.

“Dhe nëse nuk e këndonit, do të ndëshkoheshit për këtë. Do të rriheshit”, ka rrëfyer ai.

Në intervistë, ish i burgosuri ka treguar se ishte therur me thikë gjatë kohës që ishte në robëri – dhe ishte rrahur për shkak të tatuazheve të tij.

Ndryshe, dhjetë të arrestuar, përfshirë Aslin, u liruan të mërkurën në mbrëmje pasi Arabia Saudite tha se kishte ndërmjetësuar një shkëmbim midis Rusisë dhe Ukrainës.

Midis tyre ishin pesë shtetas britanikë që u liruan – duke përfshirë John Harding, Dylan Healy, Andrew Hill dhe Shaun Pinner.

Aslin nga Newark, Nottinghamshire ishte kapur në prill ndërsa luftonte në qytetin juglindor të Mariupol.

Pas kësaj, ai, Pinner dhe një shtetas maroken, Brahim Saadoun, u vunë para gjyqit në Republikën e vetëshpallur Popullore të Donetsk dhe u thanë se ata përballeshin me dënimin me vdekje.

Duke iu referuar një rasti kur ai u godit me thikë në shpinë, Aslin tha: “E dija se kishte një mundësi shumë të madhe që do të vritesha”.

Aslin ka treguar më tej se ai mbahej në një qeli për dy persona me katër persona dhe duhej të flinte në një dyshek të infektuar me morra.

“Nuk mund të shkonim në tualet si duhet sepse nuk kishim tualet”, tha ai, duke shtuar se duhet të përdornin shishet të zbrazëta.

Duke folur momentin kur i është kontrolluar pasaporta, ai tregoi: “Sapo thashë nga Britania e Madhe më erdhi një grusht në hundë”. /Telegrafi/