Duke folur në Konferencën e Sigurisë në Mynih, kryeministri britanik, Rishi Sunak u ka bërë thirrje liderëve botërorë që të “dyfishojnë mbështetjen ushtarake” për Ukrainën.
Ai thotë se në vitin 2023, Britania e Madhe do të barazojë ose do ta tejkalojë shifrën prej 2.6 miliardë eurove që investoi vitin e kaluar në Ukrainë.
I pyetur nëse Britania e Madhe do të sigurojë armë me rreze të gjatë veprimi që mund të godasin Krimenë, Sunak thotë se Ukraina ka të drejtë të mbrohet, raporton skynews.
Mbretëria e Bashkuar do të jetë vendi i parë që do t’i sigurojë forcave ukrainase armë me rreze më të gjatë veprimi, thotë ai.
“Të kemi një kundërofensivë që e largon Rusinë jashtë vendit [të Ukrainës]: Unë mendoj se kjo është plotësisht e arsyeshme dhe ne duhet të qëndrojmë pas Ukrainës në atë ambicie dhe duam që kjo ambicie të ketë sukses”, pohoi i pari i qeverisë britanike.
Ndryshe, aleatët perëndimor deri më tani kanë hezituar ta furnizojnë me këto armë ushtrinë ukrainase pasi që ka mundësi që lufta të përshkallëzohet edhe jashtë shtetit të Ukrainës. /Telegrafi/