Britania e Madhe do të mbështeste një rrugë të shpejtë të anëtarësimit të Ukrainës në NATO, ka sinjalizuar sekretari i Jashtëm britanik.
Mënyra se si të avancohet anëtarësimi i Ukrainës në NATO, edhe pse forcat e saj luftojnë kundër pushtimit të Rusisë, do të jetë një nga vendimet kryesore që pritet të merret nga udhëheqësit e aleancës në një samit të madh, i cili pritet të mbahet muajin e ardhshëm në shtetin baltik të Lituanisë.
Çdo komb që dëshiron të bashkohet me NATO-n duhet të plotësojë një plan veprimi për të siguruar që forcat e tyre të armatosura të përmbushin disa standarde dhe të financohen siç duhet.
Por, kjo kërkesë u hoq kur Finlanda dhe Suedia kërkuan të bashkohen vitin e kaluar dhe mund të hiqet përsëri, raporton skynews.
James Cleverly, sekretari i Jashtëm britanik, tha se të gjithë aleatët e pranuan se forcat e armatosura të Ukrainës tashmë po përshtaten për të përmbushur standardet e hyrjes në aleancë.
“Ne e kemi parë Ukrainën të evoluojë dhe të evoluojë jashtëzakonisht shpejt”, tha ai para gazetarëve në një konferencë shtypi në periferi të një konference në Londër mbi rindërtimin e Ukrainës.
Ai tha se Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u kishte thënë aleatëve në një takim jozyrtar të ministrave të jashtëm në Norvegji se “shumë nga kërkesat” e të ashtuquajturit plani i veprimit të anëtarësimit (MAP) tashmë po përmbusheshin.
“Reforma e forcave të tyre të armatosura po ndodh ndërkohë që janë të përfshirë në konflikt”, tha Cleverly.
“Unë mendoj se pozicioni i Mbretërisë së Bashkuar do të ishte shumë, shumë mbështetës nëse do të kalonim nga plani i veprimit të anëtarësimit, duke pranuar se oferta si për Finlandën ashtu edhe për Suedinë nuk e kërkonte këtë dhe ukrainasit kanë demonstruar angazhimin e tyre për reforma – reforma ushtarake kërkohet për anëtarësimin në NATO – përmes veprimeve të tyre në fushën e betejës. Unë mendoj se të gjithë aleatët e NATO-s e pranojnë këtë”, pohoi ai.
Ndryshe, Ukraina ka kohë që po e përsërit qëndrimin se është e gatshme të bëhet pjesë e aleancës më të madhe ushtarake në botë. /Telegrafi/