Site icon Telegrafi

Britania sanksionon një kompani të çelikut – Abramovich zotëron gati 30 për qind të aksioneve

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka vendosur sanksione ndaj Evraz, prodhuesit shumëkombësh të çelikut, pjesërisht në pronësi të miliarderit Roman Abramovich, i cili më parë konsiderohej ndër kompanitë më të mëdha britanike.

Zyra e ministrisë së Jashtme njoftoi të enjten se Evraz “operon në sektorë të rëndësishëm dhe strategjik për qeverinë e Rusisë” dhe veprimi do t’i “zhbëjë më tej rezervat financiare të Putinit ndërsa do të mbështesë rezistencën e vazhdueshme të Ukrainës”.

Zyra e regjistruar e Evrazit është në distriktin Mayfair të Londrës, por ka operacione të mëdha minierash dhe prodhimi çeliku në Rusi, me më shumë se 70 mijë punonjës, raporton theguardian.

Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët, përfshirë SHBA-në dhe BE-në, kanë përdorur sanksionet ndaj kompanive dhe biznesmenëve rusë si një nga mjetet kryesore për t’iu përgjigjur pushtimit të Ukrainës.

Masa ndaj Evrazit mendohet të jetë hera e parë që një ish-anëtare e FTSE 100 është subjekt i sanksioneve gjersa kompania vlerësohet në muajin janar më shumë se 8 miliardë euro.

Lexo po ashtu Britania e Madhe ndalon eksportet drejt Rusisë

Anëtarësimi i saj në indeks nënkuptonte që aksionet në kompani janë nën pronësinë e shumë investitorëve, duke përfshirë BlackRock, Schroders Investment Management, Vanguard dhe Legal&General.

Aksionet e Evrazit u pezulluan nga tregtimi në bursën e Londrës në mars pasi qeveria e Mbretërisë së Bashkuar theksoi rëndësinë e supozuar strategjike për Rusinë kur vendosi sanksione ndaj Abramovichit, i cili zotëron 29 për qind të aksioneve në kompani. Bordi i saj gjithashtu dha dorëheqje pas sanksioneve kundër Abramovichit. /Telegrafi/

Exit mobile version