Site icon Telegrafi

Britania paguan 10 mijë paund për të përkthyer mesazhet e narkotrafikantit shqiptar

Tatimpagesit britanikë kanë paguar 10 mijë paund vetëm për përkthyes.

Një shifër e lartë për të vënë pas hekurave shqiptarin Martin Ndreca, i cili akuzohet për tregti kokaine.

Sipas Daily Mail, Ndreca, 24 vjeç, u deklarua fajtor për shitje droge javën e kaluar, por para kësaj u shpenzua një sasi e madhe e fondeve publike për të përkthyer mijëra mesazhe në telefonin e tij.

Duke folur në Gjykatën e Gloucester Crown javën e kaluar, gjyqtari Ian Lawrie KC tha: “Ka pasur një sasi të jashtëzakonshme të shpenzimeve publike për shkak të një të pandehuri që nuk mund të përballet me situatën e tij.”

Ndreca, pa adresë fikse, u deklarua fajtor të premten për shpërndarje kokaine midis 18 korrikut 2022 dhe 11 korrikut 2023.

Ai gjithashtu pranoi posedimin e kokainës me qëllim furnizimin midis 28-30 nëntor 2022 dhe përsëri më 10 korrik 2023.

Prokurori Daniel White tha se Ndreca, i cili deri më tani kishte mohuar shkeljet, tani “pranon shumicën dërrmuese të akuzave ndaj tij”.

White tha se Gjykata nuk mund të pranojë pretendimin e Ndrecës se ai ishte thjesht një korrier dhe kishte rol të vogël.

“Për shkak të mënyrës sesi Ndreca ka vepruar në këtë rast është dashur të shpenzohen një shumë e madhe parash”, tha avokati.

“Mbi 10,000 £ tarifa për përkthyes shqiptarë që shikonin mijëra rreshta mesazhesh.”

Shuma e parave të taksapaguesve britanikë që përdoren për të siguruar përkthyes shqiptarë për kriminelët e dyshuar është dyfishuar në pesë vitet e fundit, tregojnë shifrat.

Ministria e Drejtësisë (MD) zbuloi se një rekord prej 1.2 milionë paund u shpenzuan në vitin 2022, duke ofruar staf dygjuhësh për të komunikuar procedurat ligjore me shqiptarët e akuzuar për kryerjen e krimeve në Mbretërinë e Bashkuar.

Kjo është një rritje prej 35 për qind nga një vit më pare./Vizionplus

Exit mobile version