Telegrafi

Britania ndan edhe 709 milionë euro për Ukrainën – ku do t’i shpenzojnë këto para ukrainasit

Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, ka ndarë mbi 600 milionë funte (709 milionë euro) mbështetje për Ukrainën.

Mbështetja do të sigurojë 242 milionë funte (286 milionë euro) për nevoja humanitare dhe 371 milionë funte (438 milionë euro) si garanci kredie të dhëna nga Banka Botërore për të mbështetur shërbimet jetike publike, duke përfshirë mbajtjen e shkollave dhe spitaleve të hapura, pagesën e nëpunësve civilë dhe financimin e pensioneve.

Lammy tha se “së bashku me SHBA-në, ne jemi të përkushtuar t’i japim Ukrainës atë që i nevojitet për t’i rezistuar pushtimit të paligjshëm të Rusisë, shkruan skynews.

“Lufta e tyre për liri dhe demokraci është gjithashtu një luftë për sigurinë britanike, sigurinë evropiane dhe sigurinë globale. Me SHBA-në, ne qëndrojmë fort me Ukrainën për aq kohë sa duhet”, shtoi ministri.

Sekretari i mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, John Healey, gjithashtu njoftoi sot se qindra raketa shtesë të mbrojtjes ajrore, dhjetëra mijëra municione shtesë artilerie dhe më shumë automjete të blinduara do t’i dorëzohen Ukrainës.

Dyshja kanë udhëtuar sot drejt Kievit, ku janë takuar me zyrtarë të lartë ukrainas, përfshirë presidentin Volodymyr Zelensky.

Ndryshe, britanikët dhe amerikanët janë ndër vendet që më së shumti po e ndihmojnë Ukrainën në luftën kundër Rusisë, e cila ka filluar më 24 shkurt të vitit 2022. /Telegrafi/